Këtë të hënë, më 2 qershor, me fillim nga ora 10:30 pritet të mbahet seanca e 25-të me radhë për përpjekjen për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Në seancën e fundit, të mbajtur më 31 maj, dështoi për herë të 16-të votimi për pikën 3 të rendit të ditës, për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme për themelimin e komisionit, ku votimi bëhet në mënyrë të fshehtë.

Vetëm 53 deputetë votuan pro, një kundër dhe nuk pati asnjë abstenim.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi se seanca do të shtyhet për të hënën.

Propozimi për votim të fshehtë është bërë më 1 maj, pas dështimeve të kandidates së Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, për të siguruar 61 vota në votimet e hapura.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me mbështetjen e partive të tjera opozitare, ka dorëzuar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar si jokushtetues propozimin për votim të fshehtë dhe duke kërkuar ndërprerjen e seancave deri në vendimin e gjykatës.