Kuvendi i Kosovës këtë javë mban tri seanca
Kuvendi i Kosovës këtë javë do të mbajë tri seanca, kështu ka bërë të ditur shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila. Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Kusari ka thënë se dy seanca do të mbahen të enjten, ndërsa tjetra të premten. “U dakordua që këtë javë të […]
Kuvendi i Kosovës këtë javë do të mbajë tri seanca, kështu ka bërë të ditur shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Kusari ka thënë se dy seanca do të mbahen të enjten, ndërsa tjetra të premten.
“U dakordua që këtë javë të kemi tri seanca, e para është ajo e 26 tetorit, ditën e enjte, në ora 10:00 një seancë, e cila do të trajtojë pikat e papërfunduara nga dy seancat e tjera, ajo e 26 shatorit dhe 4 tetorit, ndërsa të njëjtën ditë me fillim në ora 12:00 do të fillojë një seancë tjetër, kërkesë e deputetëve të opozitës me 41 nënshkrime, e cila do të trajtojë një rezolutë për koeficientin e pagave në sektorin publik, përderisa kryesia është dakorduar që seancë të mbajë edhe të premten me fillim në ora 11:00, në këtë seancë do të diskutohet dhe do t’i jepet mbështetje e mëtutjeshme rezolutës së miratuar në PE, lidhur me ngjarjet e 24 shtatorit”, ka deklaruar Kusari – Lila, transmeton KP.
Siç ka thënë ajo, të gjitha këto vendime u morën në dakordim me anëtarët e Kryesisë së Kuvendit dhe shefave të grupeve parlamentare.
Ndër të tjera, Kusrai-Lila ka thënë se nuk ka informacione që pesë diplomatët që ishin në vizitë të shtunën të kenë dhënë afat për Kosovën për ndonjë marrëveshje.
Ajo ka thënë se është e rëndë deklarata e të dërguarit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili potencoi se asgjë nuk ka ndryshuar në procesin e dialogut sa i përket sulmit pas 24 shtatorit.
Ndonëse, sipas saj, në Kosovë pozita e opozita janë të pajtimit se situata në procesin e dialogut me Serbinë ka ndryshuar dhe ka marrë rrugë tjetër pas sulmit të 24 shtatorit.
“Nuk kam informacion se ka ultimatum dhe që afati është të etjen. Sa i përket deklarimit të Lajçakut pak më e rëndë është deklarata se asgjë nuk ka ndryshuar pas 24 shtatorit. Natyrisht se Kosova ka qenë e gatshme dhe ka treguar gatishmëri për dialog. Ne jemi të qëndrimi se 24 shtatori ka shënuar një kthesë të rëndësishme jo të mirë në procesin e dialogut”, ka deklaruar ajo.
Kusari-Lila ka shtuar se është e rëndësishme që të dialogohet me opozitë sa i përket pjesëmarrjes në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.















