“Kuvendi i Kosovës me kandidaturën e njëanshme është shndërruar në një cirk” thotë Bajrami
Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK] ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës është shndërruar në një cirk, duke propozuar Lëvizja Vetëvendosje kandidaten e njëjtë, deputeten Albulena Haxhiun për kryeparlamentare. Kuvendi i Kosovës me kandidaturën e njëanshme është shëndërruar tanimë në një cirk. Hera e 6-të, zonja Haxhiu mori 54 vota dhe ata insistojnë […]
Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK] ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës është shndërruar në një cirk, duke propozuar Lëvizja Vetëvendosje kandidaten e njëjtë, deputeten Albulena Haxhiun për kryeparlamentare.
Kuvendi i Kosovës me kandidaturën e njëanshme është shëndërruar tanimë në një cirk. Hera e 6-të, zonja Haxhiu mori 54 vota dhe ata insistojnë me këtë kandidaturë duke u mbledhur çdo 48-orë. LDK-ja është për t’u gjetur një zgjidhje kushtetute, respekton Kushtetutën e Kosovës dhe rezultatin e 9 shkurtit.”, tha Bajrami.
Ajo ka thënë se është e turpshme që as të martën s’u konstituua Kuvendi.
Sipas Bajramit, kjo situatë politike u shndërrua në teatër.
“Pengmarrja e institucioneve nga ana e Vetëvendosjes po iu kushton qytetarëve. Ata përballen me probleme të ndryshme e ato si adreson askush. Na vjen keq që në bazë të rezultatit dhe vullnetit tonë jemi pjesë e Kuvendit, por pa dashje jemi pjesë e këtij teatri që tashmë po besoj është bërë mjaft për secilin qytetar të Kosovës”, ka thënë Bajrami.
Ndryshe, ka përfunduar pa sukses edhe përpjekja e tetë për konstituim të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, nuk po arrin të marrë 61 vota e mjaftueshme për të marrë postin. Si pasojë do të duhet edhe seanca e nëntë për të tentuar konstituimin.
Për dallim nga votimet e deritashme në të cilat Haxhiu merrte 57 vota, sot ajo mori 54. Kundër kandidaturës së saj votuan 44 vota. Tre deputetë abstenuan.
Kuvendi tashmë prej 15 prillit është duke mbajtur çdo dy ditë seanca në përpjekje për të kaluar procedurat fillestare. Konstituimi konsiderohet i përfunduar vetëm pas zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Nga partitë që në legjislaturën e shkuar ishin në opozitë, në vazhdimësi është bërë thirrje për ndërrim të emrit të propozuar. Teksa Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se emri i Haxhiut nuk është unifikues, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se do ta votonin kryeparlamentarin nëse do të propozoheshin Saranda Bogujevci ose Shqipe Selimin. Lidhja Demokratike ka thënë se nuk do ta votojë asnjë kandidat të VV-së. E në partinë fituese kanë përsëritur në vazhdimësi se nuk mund të marrin propozime për emra nga partitë tjera.
Seanca e ardhshme mbahet të enjten me fillim prej orës 10:00.















