Seanca e së enjtes në Kuvendin e Shqipërisë nisi me një minutë heshtje në nder të policit të vrarë në krye të detyrë në Maliq.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi mbajtjen e 1 minutë heshtje për rënien në krye të detyrës së efektivit të policisë së shteti.
“Gjatë një operacioni të vështirë për kapjen e një personi shumë të kërkuar, i cili prej vitesh i ishte fshehur forcave të policisë në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte mundur t’u shpëtonte rrethimeve, ka rënë në krye të detyrës efektivi i Policisë së Shtetit, ndërsa një tjetër koleg i tij është plagosur. Autori, pasi ka hapur zjarr, ka mbetur i plagosur dhe është vënë në pranga nga policia.Qëndrojmë sot me respekt dhe mirënjohje para sakrificës së dëshmorit të atdheut Enea Mekolli. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij dhe po ashtu urojmë për shërim sa më të shpejtë për efektivin e plagosur. Drejtësia duhet të veprojë me forcë dhe dënim maksimal ndaj autorit, ndërsa mirënjohja dhe respekti ynë shkon për Policinë e Shtetit që përballet me rrezikun në shërbim të qytetarëve”, u shpreh Balla.
Përplasje me armë gjatë operacionit në Maliq, vritet një polic e një tjetër plagoset