Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për kultivimin e kontrolluar të kanabisit

Kuvendi i Shqipërisë shqyrtoi për tre orë pas mesnate të premten dhe miratoi projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të tij për qëllime mjekësore dhe industriale”. Deputetët votuan pro këtij ligji me rreth 69 vota

Semafori i kanabisit në Gelsenkirchen./ Foto: RTL West

Ligji për kultivimin e kontrolluar të kanabisit mori 69 vota pro, 23 kundër dhe 3 abstenime. Tri votat abstenuese u përkisnin deputetëve socialistë Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erjon Braçe.

Qeveria deklaroi se me këtë projektligj synon rregullimin dhe mbikëqyrjen e kultivimit, përpunimit, qarkullimit, si dhe eksportimin e bimës së kanabisit, të nënprodukteve të tij dhe produkteve përfundimtare për qëllime mjekësore dhe industriale.

Autoritetet besojnë se përmes një procesi të licensuar do të rritet ekonomia e vendit, si dhe kontrolli i subjekteve, që do të merren me kultivimin dhe përpunimin e bimës së kanabisit, duke krijuar një institucion të veçantë.

Votimi për kultivimin e kanabisit./ Foto: VOA, RTSH.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, theksoi se projektligji parashikon krijimin e një agjencie për kontrollin, regjistrimin e prodhimit, dhënien e licensave për eksportin përmes një komisioni të posaçëm, si dhe mbikëqyrjen nga një njësi e specializuar.

“Regjistri kombëtar i subjekteve të licensuara do të regullojë prodhimin e kontrolluar të kanabisit për qëllime mjekësore. Licensa mjekësore parashikon transportin e farërave, bimëve dhe deri te produktet dhe nënproduktet”, tha zonja Manastirliu.

Projektligji parashikon se licensë mund të kërkojë çdo person juridik, që ka përvojë 3-vjeçare në prodhim, kultivim dhe qarkullim të bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore.

Autoritetet pohojnë se subjekti duhet të jetë ushtrues për të paktën 5 vite i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së kannabisit në një nga vendet e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Sipas projektligjit, licenca mund të jepet për një periudhë 15-vjeçare, me të drejtë renovimi, ndërsa zbatimi i kushteve të licensës verifikohet çdo 3 vjet.

Relatori i projektligjit, deputeti opozitar, Tritan Shehu, tha se projektligji bie ndesh me Kodin Penal dhe synon përdorimin e drogave për trafiqe, ndërsa strukturat e sigurisë nuk kanë kapacitete për të kontrolluar territorin.

“Me këtë projektligj synohet të licensohen grupet kriminale. Ky ligj do ta bëjë Shqipërinë një republikë kanabisi, ndërkohë është e prekur nga narkotikët në të gjitha shtresat e shoqërisë, sidomos të rinjtë. Prodhimi vazhdon në të zezë dhe tani presin vetëm licensat”, tha zoti Shehu.

Kundër këtij projektligji u shpreh gjatë fjalimit të tij edhe deputeti socialist, Fatmir Xhafaj.

Ai kujtoi se kur ishte ministër i Punëve të Brendshme, policia e ka luftuar fuqishëm kultivimin e narkotikëve, dhe ai vetë ishte luftuar nga shumë anë pikërisht për goditjen e kësaj dukurie.

“Gjatë atyre dy viteve Shqipëria ka regjistruar dy vitet me statistikat më minimale në kultivimin dhe trafikimin, e konfirmuar nga Guardia di Finanzia italiane”, tha zoti Xhafaj.

Ai tha se kannabisi është i pranishëm midis shqiptarëve, edhe pse është i paligjshëm, duke nisur nga përdorimi politik që bëhej në Lazarat, e deri te përdorimet financiare.

“A është gati shoqëria shqiptare për këtë projektligj me rreziqe të mëdha sociale? Mendoj se kjo është qasje e gabuar. Ky është një biznes që vret. Po ashtu, vret besimin e njerëzve te puna. Mendoj se është një hap i parakohshëm për Shqipërinë”, tha zoti Xhafa.

Opozita shprehu dyshime pse projektligji u miratua me shpejtësi në komisionet parlamentare nga socialistët, dhe nga ana tjetër nuk ka ndonjë studim mbi përfitimet që ka ekonomia e Shqipërisë në raport me rreziqet dhe pasojat sociale, shëndetësore dhe kriminale që sjell përdorimi i marihuanës.

Deputetët opozitarë shprehën skepticizëm se Ministria e Shëndetësisë, që është ngarkuar me zbatimin e këtij projektligji nuk i ka kapacitetet e duhura, ndërkohë që as policia nuk ka arritur ende rezultate të mjaftueshme në luftën ndaj grupeve kriminale, që kultivojnë bimë narkotike në shumë zona të Shqipërisë.

Megjithatë, shumica socialiste e miratoi proejektligjin me votat e saj, për të ligjëruar kultivimin dhe përpunimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale, duke përsëritur se kontrollet do të jenë të rrepta dhe mundësitë e fitimeve financiare dhe punësimi janë të mëdha./ VOA.

Shija e redaktorit

Mirush Kabashi – “Ishte i madh, një gjeni dhe yll...

Ikona e artit shqiptar, Mirush Kabashi, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike me mbi 100 role...

Rama: Magjia e festave erdhi

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka hapur Tregun e Fundvitit në qendër të kryeqytetit. Ai ka thënë se në bulevardin "Xhorxh Bush" qytetarët do të...

Mbrojtja e krerëve të UÇK-së triumfon ndaj ZPS-së, Specialja iu...

Trupi Gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka marrë një vendim në lidhje me komunikimet dhe vizitat e krerëve të UÇK-së, respektivisht, Hashim...

Të fundit nga rubrika