Mbi 100 ditë pas zgjedhjeve nacionale, e pas më shumë se një muaji, Kuvendi i Kosovës, mbetet i bllokuar.

48 orët pas seancë së kaluar nuk sollën asnjë risi. Seanca e 20-të u ndërpre pas rreth 3 minutave.

Komisionin për votim të fshehtë e votuar 53 deputetë. Kryesuesi, Avni Dehari, seancën e ndërpreu me porosinë e zakonshme: shihemi pas 48 orësh.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje në hollin e Kuvendit doli me qëndrimet e zakonshme.

“Kjo situatë është e papranueshme, që kërkon zgjidhje të menjëhershme por për të gjetur zgjidhje të menjëhershme kërkon reagim racional nga deputetët e opozitës që bllokojnë kuvendin dhe duke e bllokuar, bllokojnë edhe mundësinë e tyre për të shtruar kontrollin e Kuvendit mbi institucionet e pavarura të Kosovës. Bëj thirrje që kjo qasje bllokuese të ndalet sepse beteja politike bëhet për zgjedhjen e qeverisë,. Nuk bëhet për një temë që është e vetëkuptueshme”, deklaroi Donika Gërvalla – Kryetare e Listës Guxo.

As për PDK-në, nuk solli ndryshimi dështimi i 20-të.

“PDK vazhdon të jetë konstruktive, ne jemi të gatshëm në çdo moment të hapim rrugë. Kemi ofruar alternativat tona, mirëpo Kosova po mbahet peng e kryneqësisë së Albin Kurtit…”, u shpreh Vlora Çitaku.

LDK pos që zotohet se nuk ka votë për Haxhiun, e as anëtar për komisionin për votim të fshehtë, Lëvizjen Vetëvendosje e akuzon për bllokim të Kuvendit dhe thotë se nuk ka lënë hapësirë për partneritet.

 “Ne e preferojmë Lumir Abdixhikun, për shkak se kemi garuar edhe me program të qartë dhe ne synojmë që në çfarëdo qeverije t’i realizojmë projektet tona të cilat janë në të mirë të qytetarëve.” Deklaroi Jehona Lushaku-Sadriu.

AAK nuk solli risi në Kuvend, por para saj thanë se edhe Glauk Konjufca do të ishte i pranueshëm për Kryetar të Kuvendit.

Haradinaj foli prapë për ndikimin që sipas tij Lëvizja Vetëvendosje po mundet ta shtrijë tek deputetw nga komunitetet.

 “Deputeti Adem Hoxha respekton ligjin dhe Kuvendin e Kosovës. Nderon në heshtje për figurat kombëtare, ndërsa për pjesën tjetër nuk mund të them më shumë. Është një mobilizim i madh i Kurtit dhe aleatëve të tij në Maqedoni që po tentojnë me josh Adem Hoxhën. Pastaj edhe Dudën, Vetonin”, tha Ramush Haradinaj.

Pretendimet e Haradinajt i konfirmoi, Duda Balje, e cila shpjegoi sesi persona të caktuar i kanë ofruar mundësi punësimi si profesoreshë në Maqedoni, meqenëse kishte aplikuar për punë më herët. Këta persona sipas saj i kërkuan tërthorazi mbështetje për Haxhiun dhe Vetëvendosjen.

Për këto deklarime u pyet edhe deputetja Gërvalla, e cila tha e nuk ka informacione.

Në anën tjetër, NISMA Socialdemokrate është partia e vetme që nuk e voton Haxhiun por preferon kandidat tjetër jashtë Lëvizjes Vetëvendosje.

“Mendoj që z. Limaj meriton mbështetjen e deputetëve për të qenë Kryeparlamentar i Kuvendit, dhe unë mendoj që Kuvendit të Kosovës do t’i kthehet dinjiteti që do të udhëheqë z. Limaj…”, deklaroi Arbresha Kransiqi.

Seanca tjetër, e 21-ta me radhë, mbahet të dielën më 25 maj, nga ora 11:00.