Kuvendi në bllokadë: Albulena Haxhiu sërish në garë për kryeparlamentare
Sot nga ora 15:00 pritet të mbahet vazhdimi i katërt i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, me një tjetër përpjekje për ta zgjedhur kryetarin e ri të këtij institucioni. Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të propozojë përsëri deputeten Albulena Haxhiu për këtë pozitë, pasi tentativa e saj e parë të shtunën dështoi, me vetëm 57 […]
Sot nga ora 15:00 pritet të mbahet vazhdimi i katërt i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, me një tjetër përpjekje për ta zgjedhur kryetarin e ri të këtij institucioni.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të propozojë përsëri deputeten Albulena Haxhiu për këtë pozitë, pasi tentativa e saj e parë të shtunën dështoi, me vetëm 57 vota përkundër nevojës për 61.
Procesi i konstituimit të Kuvendit ka hasur në pengesa të njëpasnjëshme. Tre përpjekjet e para kanë dështuar që në hapin e parë – konfirmimin e mandateve të deputetëve – për shkak të votës kundër nga PDK, LDK dhe AAK.
Përparimi erdhi të shtunën, kur falë një takimi të thirrur nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, u arrit miratimi i raportit të Komisionit të përkohshëm me vota unanime, dhe më pas deputetët bënë betimet e tyre.
Pas betimit, procesi u bllokua sërish në pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Albulena Haxhiu, e propozuar nga LVV në përputhje me Kushtetutën, mori 57 vota – 48 nga deputetët e partisë së saj dhe 9 nga komunitetet. Kundër votuan 20 deputetë të LDK-së, ndërsa 3 deputetë të Nismës abstenuan. Deputetët e PDK-së, AAK-së, të Listës Serbe dhe Duda Balje nuk morën pjesë fare në votim.















