Kuvendi numëron 46 dështime
Aktgjykimi i shumë intepretuar kohëve të fundit i Gjykatës Kushtetuese, iu la mbi tavolinë kryesuesit të seancës së Kuvendit, Avni Dehari në tentimin e 46 për ta konstituar këtë institucion. Kjo u bë nga deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, i cili doli në foltore pasi që Dehari kërkoi nga partitë emra për komisionin për votim […]
Aktgjykimi i shumë intepretuar kohëve të fundit i Gjykatës Kushtetuese, iu la mbi tavolinë kryesuesit të seancës së Kuvendit, Avni Dehari në tentimin e 46 për ta konstituar këtë institucion.
Kjo u bë nga deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, i cili doli në foltore pasi që Dehari kërkoi nga partitë emra për komisionin për votim të fshehtë.
Por, pavarësisht kësaj, Avni Dehari vazhdoi njëjtë duke e hedhur në votim, por që komisioni nuk morri votat e nevojshme, për cka edhe këtë herë seanca u shtye.
E edhe pas kësaj, në sallë vazhduan deklarimet deputetë të PDK-së, LDK-së e të AAK-së.
Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku tha se që nga pavarësia e Kosovës, Kosova asnjëherë nuk është përballur me një papërgjegjësi kaq të madhe institucionale.
“Prej pavarësisë asnjëherë më parë Kosova nuk është përballur me një papërgjegjësi kaq të madhe institucionale, sikurse tani duke vënë në dilemë aftësinë tonë shtetndërtuese, krejt kjo si pasojë e kryengritësisë dhe egos së pakontrolluar për pushtet absolut nga Albin Kurti”, ka theksuar ai.
Ndërkohë nga LDK e AAK, thanë se kjo situatë është duke u bërë qëllimshëm nga LVV-ja.
“Fakti që kjo fjalë po mbahet pa mikrofon, regji dhe rekordim zyrtarë nga kuvendi, tregon shumë. Tregon se institucioni që duhet të është tempull i demokracisë, është sot pasqyrë e një krize të thellë politike që po dëmton funksionimin demokratik të shtetit tonë”, ka theksuar Armend Zemaj – LDK.
“Të gjithë tjerët e kanë braktisur këtë sallë në mënyrë që të mos ballafaqohen me realitetin. Më datë 26 është data kur bëhen një muaj e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ne po e shohim çfarë angazhimi ka LVV-ja”, ka deklaruar Time Kadrijaj – AAK.
Për qëndrimin e tyre në sallë kritika sërish patën nga LVV-ja.
“Ata po vazhdojnë me shkeljen e rregullores së Kuvendit, duke e vazhduar debatin pasi që po mbyllet seanca, ne sigurisht që jemi për debat dhe sigurisht që e kuptojmë se duhet të diskutohet por që të realizohet debati që të vazhdojë puna e kuvendit fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi”, ka theksuar Arjeta Fejza – LVV.
Ndërkohë që deputetja e Nismës Socialdemokrate, Arbëreshë Krasniqi ka paralajmëruar se do të ketë takim mes kryetarit të NISMA-s, Fatmir Limaj e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Krasniqi: Qëndrimi i Limajt për të takuar Kurtin, ka vetëm një qëllim
“Kryetari Limaj e ka parë serioze që nga fillimi këtë situatë dhe deklarimet e tij kanë qenë gjithmonë dhe gjithherë në drejtim të asaj që të jep një zgjidhje Kosovës me krijimin e institucioneve. Sigurisht që do ta takoj.. Qëndrimi i Limajt për të takuar Kurtin, ka vetëm një qëllim dhe qëllimi është për t’i dhënë zgjidhje krijimit të institucioneve në Kosovë. Gjatë takimit edhe Limaj e Kurti do të japin qëndrimet e tyre”
Me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, deputetët kanë kohë deri më 26 korrik të konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.















