Kuvendi shqiptar ratifikon marrëveshjen me Italinë për emigrantët

Kuvendi i Shqipërisë me 77 vota për ka ratifikuar marrëveshjen për emigrantët të nënshkruar me Italinë

Kuvendi i Shqipërisë me 77 vota për ka ratifikuar marrëveshjen për emigrantët, të nënshkruar me Italinë më 6 nëntor të vitit 2023.

Sipas Marrëveshjes për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, Italia do t’i dërgojë në Shqipëri emigrantët që i kap dhe i shpëton në Detin Mesdhe, duke filluar nga pranvera e këtij viti. Kjo marrëveshje është miratuara edhe në Itali nga Dhoma e Ulët e Parlamentit dhe nga Senati.

Veç deputetëve të Partisë Socialiste në pushtet, votën pro kësaj marrëveshjeje e dhanë edhe tre deputetët e Partisë në opozitë për Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU).

Deputetja e PDIU-së, Mesila Doda, tha se të gjithë duhet të kishim votuar për marrëveshjen, pasi Italia është një vend mik, që sipas saj, ka ndihmuar gjithnjë Shqipërinë në momente krizash.

Ndërkaq, deputetët që i përkasin Partisë Demokratike zyrtare e bojkotuan seancën parlamentare, për shkak të kundërshtive për Projektligjin e paraqitur në Kuvend për amnistinë penale. Në votim për marrëveshjen nuk morën pjesë as deputetët e “Rithemelimit”, edhe pse ishin të pranishëm në sallë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk ishte pjesë e punimeve të Kuvendit, ndërsa në rrjetin social X, që më herët njihej si Twitter, ai shkroi se Shqipëria veproi si një vend anëtar i Bashkimit Evropian.

“Asnjë vend nuk mund ta zgjidhë një sfidë të tillë i vetëm, asnjë retorikë apo zgjidhje e shpejtë nuk mund të ndryshojë madhësinë e saj dhe asnjë lavdi e vjetër apo mënyra e të menduarit të kaluar nuk mund të sigurojë një shpëtim nga përballja me atë që po vjen në të gjitha frontet”, tha Rama.

Marrëveshja parasheh që Shqipëria të strehojë deri në 36.000 emigrantë për një vit, në dy qendra brenda shtetit, përderisa Italia t’i shqyrtojë kërkesat e tyre për azil.

Partitë opozitare, si në Shqipëri edhe në Itali, e kanë kundërshtuar marrëveshjen. Në Shqipëri, opozita e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese marrëveshjen me pretendimin se binte ndesh me Kushtetutën. Gjykata e rrëzoi kërkesën e opozitës, duke i hapur rrugë kështu ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend, shkruan REL.

Ndërsa në Itali, opozita e konsideroi marrëveshjen një propagandë të shtrenjtë të Qeverisë para zgjedhjeve evropiane që do të mbahen më vonë gjatë vitit, dhe një përpjekje të turpshme për ta shndërruar Shqipërinë në një “Guantanamo” të Italisë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbështetur marrëveshjen, të cilën e ka cilësuar si një nismë të rëndësishme dhe një ide kreative për të menaxhuar çështjen e migrimit. Por, grupet për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësim me marrëveshjen, duke argumentuar se Italia po shmang obligimet e saj ndërkombëtare.

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika