Edhe për herën e 33-të, të zgjedhurit e popullit dështuan të konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit.

Në një skenar të përsëritur me epilogun e njëjtë, ndërruan vetëm numrat.

Nga 91 deputetë në sallë, 51 votuan për dhe një kundër komisionit për votim të fshehtë.

Si rrjedhojë seanca u ndërpre në mungesë kuorumi.

“Shihemi me datë 19 Qershor, në ora 10. Për sot ndërpritet seanca”, ka thënë kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari.

Zakonshëm, partia e parë fajësoi ato që legjislaturën e kaluar ishin opozitë.

“Politikisht veprimet e opozitës janë të papërgjegjshme dhe juridikisht janë shkelje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe shkelje e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, për të cilin ju e dini që kemi folur tash e sa kohë. Unë uroj që opozita të reflektojë, sepse është shumë e rëndësishme që ata të marrin pjesë në votim. Nuk po themi domosdo që ata duhet të votojnë pro, ata duhet të marrin pjesë në votim”, ka deklaruar deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu.

Njësoj, partia e dytë dhe e tretë fajësan të parën.

“Vërtetë neve na takon që te mendojmë ku është Kosova sot dhe bllokada qe cila po vazhdon për shkak të kryeneçësisë së z. Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje është e dëmshme për pozicionin e Kosovës”, ka thënë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Kosova duhet të jetë e gatshme për çdo skenar, bota po ndryshon, dinamikat janë shumë të mëdha dhe nuk e ka luksin të merret me çmenduri të egove personale për pushtet. Është koha që të ketë institucione funksionalë dhe përfaqësuese, dhe mbi të gjitha të përgjithshme”, ka deklaruar deputeti i LDK-së, Arben Gashi.

“Skandaloze”, ishe fjala që kreu i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj e përdori për ta përshkruar situatën në Kuvend.

“Një politikan që merr guximin të thotë po shkojmë në zgjedhje dhe nuk e shfrytëzon atë që ka ndodhur, besimin qytetar që i është dhënë, nuk e di se si do të shkojë në zgjedhje, shpresoj që qytetarët e Kosovës do të reflektojnë dhe do të ndëshkojnë të papërgjegjshmit”, ka deklaruar Limaj.

Ndërkohë që bllokada vazhdon, Gjykata Kushtetuese është duke shqyrtuar kërkesën me nismë të deputetëve të AAK-së lidhur me përpjekjen për ndërrimin e formës së votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.