Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë sot nga ora 11:00, seancën konstituive të legjislaturës së 11-të.
Vazhdimi i seancës është caktuar nga kryesuesi Avni Dehari, pasi procesi i konstituimit nuk arriti të përfundojë gjatë ditës së djeshme.
Mbledhja e sotme pritet të fokusohet në përpjekjet për përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.
Caktimi i vazhdimit të seancës për sot ka nxitur reagime politike dhe debate lidhur me afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit, pasi opozita dhe njohës të çështjeve kushtetuese kanë vlerësuar se procesi duhej të përfundonte brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Partitë parlamentare pritet të paraqiten sot në Kuvend për vazhdimin e seancës, ndërsa mbetet të shihet nëse do të ketë marrëveshje politike për zhbllokimin e procesit dhe funksionalizimin e institucioneve të reja të vendit.
Seanca e sotme konsiderohet vendimtare për hapat e mëtejmë institucionalë dhe për mënyrën se si do të interpretohen zhvillimet e fundit në raport me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.