Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar për herë të 31-të me radhë, duke lënë të papërmbyllur procesin e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit dhe bllokuar funksionimin e legjislaturës së nëntë.

Mbledhja e sotme, e cila nisi në orën 11:00, ishte vazhdim i seancës së nisur më 15 prill 2025. Por, edhe pas më shumë se dy muajsh, deputetët nuk kanë arritur të krijojnë Komisionin për Votim të Fshehtë – kusht i domosdoshëm procedural për të zhvilluar zgjedhjen e Kryeparlamentarit.

Seanca mbeti në pikën e tretë të rendit të ditës, njësoj si në të gjitha përpjekjet e mëparshme. As sot nuk pati ndonjë ndryshim në qëndrimet e subjekteve politike dhe mungoi çdo përparim drejt zhbllokimit të situatës.

Me këtë dështim të 31-të, kriza institucionale po zgjat përtej çdo precedent parlamentar në historinë e pasluftës në Kosovë.

Seanca e radhës do të mbahet pas 48  orësh!