Aksident pa qëllim, pasoja të përjetshme – Jeta mes pendesës dhe pritjes për liri
Një vendim i momentit, një rrugë e zakonshme dhe një ngjarje e papritur ishin të mjaftueshme që një djalë i ri të gjendej përballë një sfide që do t’i ndryshonte jetën rrënjësisht. Ai është vetëm 23 vjeç dhe ndodhet në vuajtje të dënimit prej tri vitesh, për një aksident që i mori jetën një vajze […]
Një vendim i momentit, një rrugë e zakonshme dhe një ngjarje e papritur ishin të mjaftueshme që një djalë i ri të gjendej përballë një sfide që do t’i ndryshonte jetën rrënjësisht.
Ai është vetëm 23 vjeç dhe ndodhet në vuajtje të dënimit prej tri vitesh, për një aksident që i mori jetën një vajze të mitur.
Vuajtsi i dënimit për emisionin ‘Prapa Grilave’ me Liridon Llozanin në RTV Dukagjini ka rrëfyer ngjarjen, por rasti i tij nuk është i rrallë, mirëpo është i veçantë për mënyrën si e përjeton ai këtë përvojë.
Aksidenti kishte ndodhur para pesë vitesh kur ishte vetëm 18 vjeç, në kohën kur ai sapo kishte hyrë në moshën madhore dhe punonte për të ndihmuar familjen.
Duke u nisur në punë gjatë natës, u përfshi në një situatë trafiku që rezultoi tragjike. Ai thotë se gjatë tejkalimit të një veture, një tjetër automjet tentoi të tejkalojë njëkohësisht dhe nga kontakti mes tyre vetura e tij doli nga rruga, duke e goditur për vdekje një vajzë që ndodhej në trotuar. Ajo ishte kushërira e tij, vetëm pesë vjeç.
Sot, katër vite pas asaj ngjarjeje, ai ndodhet në burg. E përjeton me vështirësi, por edhe me përpjekje për t’u përballur me realitetin dhe për të mësuar prej tij.
“Nuk është ndjenjë e mirë,” rrëfen ai.
“Në momentin që e pashë vajzën, më lëshuan këmbët. Nuk munda as të thërras në shtëpi, isha në gjendje shoku. E thirra Policinë, dhe qëndrova aty deri sa erdhën familjarët“, ka rrëfyer ai.
Pasojat psikologjike nuk munguan. Ai thotë se për një kohë të gjatë nuk flinte natën, pasi skena e aksidentit i shfaqej vazhdimisht para syve. Rruga për t’u ambientuar me realitetin e ri ishte e gjatë dhe e vështirë, sidomos për dikë që kishte përfunduar studimet në shkencat kompjuterike dhe kishte filluar të punonte në atë fushë.
“Fillimi ishte shumë i zorshëm. Është një ndryshim i madh prej jetës jashtë në këtë vuajtje të dënimit. Por është obligim. Duhet me e kry, me u mundu me dalë e me u kthyer te familja dhe puna, me u përqendruar te gjërat pozitive”, thotë ai.
Edhe në kushte burgu, ai mundohet të ruajë një rutinë: punon në byfenë zyrtare, shërben kafe dhe çaj, pastaj merret me sport dhe lexim, duke përpjekur të mbajë mendjen larg ngarkesës emocionale që e shoqëron çdo ditë.
Ai e përshkruan përvojën si një “mësim të rëndë”, jo vetëm për veten por edhe për të gjithë të rinjtë që e rrethojnë. Në institucionet korrektuese ku ka qëndruar, thotë se ka parë shumë të rinj që kanë përfunduar aty për veprime të bëra me vetëdije, ndërsa vetë ende e ndjen peshën e fatit të tij si diçka që ndodhi pa qëllim, por me pasoja të mëdha.
“Është problem. Kur e din që dikush ka ndërruar jetë në një aksident ku ke qenë i përfshirë, është barrë e rëndë. Mundohesh me e heq prej mendjes, por nuk shkon lehtë. Ka ditë që janë më të vështira se të tjerat”, thotë ai.
Megjithatë, ai nuk e ka humbur dëshirën për të ecur përpara. Me shumë vullnet, pret ditën kur dënimi të mbarojë, që të kthehet te familja dhe të rifillojë jetën, këtë herë me një përvojë të dhimbshme në bagazh, por edhe me një vetëdije të re për pasojat e veprimeve të njeriut.
Në fund, ai ka një porosi për të rinjtë.
“Qëndroni afër familjes. Mos u merrni me gjëra të këqija. Ruajuni nga çdo gjë që mund t’ju sjellë pasoja. Mos vozitni me shpejtësi. Kjo që po e përjetoj unë, nuk është e lehtë për askënd”, ka rrëfyer ai.















