Një 17-vjeçar po i afrohet fundit të një periudhe njëvjeçare në një qendër korrektuese për të mitur në Kosovë, ku është dënuar me masë edukative për veprën penale të degradimit seksual.

Ai për emisionin ‘Prapa Grilave’ me Liridon Llozani në RTV Dukagjini thotë se e gjithë kjo ka nisur nga një lidhje e hershme dashurie, një konflikt i papritur dhe një keqkuptim që më vonë e çoi drejt një procesi penal.

Sipas rrëfimit të tij, lidhja me ish-të dashurën kishte filluar kur të dy ishin rreth 14 vjeç. Ajo kishte zgjatur për më shumë se një vit e gjysmë dhe, siç thotë ai, kishte qenë një marrëdhënie normale mes të rinjve.

Ngjarja që çoi në dënimin e tij ndodhi pas një zënke në veturë. Ai thotë se e kishte ndalur makinën dhe i kishte kërkuar vajzës të largohej. Pas kësaj, ajo kishte qarë, dhe një kalimtare e kishte këshilluar që ta raportonte rastin në polici.

Pas raportimit, filluan procedurat ligjore. I mituri u akuzua për degradim seksual dhe u dënua me një vit masë edukative. Ai mohon të ketë ushtruar dhunë fizike apo seksuale ndaj vajzës dhe pretendon se nuk u paraqit asnjë provë konkrete për këtë.

“Mjeku nuk konstatoi lëndime, nuk pati as ekspertizë që të dëshmonte ndonjë dhunë”, shprehet ai.

Në këtë periudhë ai ka vazhduar shkollimin, ka ndjekur kurse si moler, rrobaqepësi dhe trajnim për kontrollin e zemërimit. Thotë se ka reflektuar thellë mbi të kaluarën dhe tani i kupton vlerat që më parë i kishte marrë si të mirëqena, siç janë koha me familjen, siguria dhe liria.

Ai e quan veten përgjegjës për vendimet që ka marrë dhe nuk fajëson askënd tjetër.

“Fajtor është vetvetja. Nuk mund të fajësosh rrethanat kur ti vetë ke bërë zgjedhjen”, shprehet ai.

Përtej procesit gjyqësor, ky rrëfim ngre edhe çështje më të thella sociale. Psikologët dhe sociologët që ndjekin raste të tilla theksojnë rëndësinë e mbikëqyrjes prindërore, mungesën e pjekurisë emocionale te të rinjtë dhe ndikimin që mund të kenë konfliktet e vogla në jetën e një adoleshenti.

Tani, i riu është gati të rikthehet në liri. Ai synon të vazhdojë shkollimin dhe t’i përkushtohet familjes dhe jetës së zakonshme.

“Nuk është e lehtë këtu, por më mirë është jashtë”, thotë ai, duke u bërë thirrje bashkëmoshatarëve që të mendojnë mirë para se të veprojnë dhe të mos e marrin lirinë si të mirëqenë.