Laboratori për falsifikimin e dokumenteve në Prishtinë, Policia arreston një tjetër të dyshuar
Një person tjetër është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet se merrej me falsifikimin e dokumenteve. I dyshuari me inicialet Sh.E. është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Speciale është dërguar në mbajtje për 48 orë. “Hetime intezive nga Policia e Kosovës kanë vazhduar në koordinim me […]
Një person tjetër është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet se merrej me falsifikimin e dokumenteve.
I dyshuari me inicialet Sh.E. është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Speciale është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Hetime intezive nga Policia e Kosovës kanë vazhduar në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Europol-in. Gjatë këtyre veprimeve, sot më 23.04.2025 është siguruar prezenca dhe është intervistuar edhe i dyshuari tjetër me inicialet SH.E., si pjesë e grupit. I njëjti është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Speciale (PSRK-së), është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim.
Zbulohet një laborator i sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve në Prishtinë
Operacioni kishte nisur muaj më parë kur në janar të këtij viti, në Prishtinë, u ndalua një automjet me targa vendore, që drejtohej nga i dyshuari F.K. Gjatë kontrollit, policia kishte zbuluar një sasi të madhe të dokumenteve të zbrazëta (blanko).
Hetimet e mëtejshme çuan në zbulimin e një laboratori të pajisur me makina lazerike, printerë dhe pajisje të tjera për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara. Në laborator, që ndodhej në lagjen Veternik të Prishtinës, u gjetën gjithashtu dokumente blanko me kopertina të shteteve të ndryshme të Evropës dhe të botës.
“Policia e Kosovës, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, pas veprimeve të ndërmarra në koordinim me njësitë e rendit të Policisë së Kosovës, muaj më parë kishte ndërmarrë një operacion të suksesshëm që ka rezultuar me zbulimin dhe sekuestrimin e një sasie të madhe të dokumenteve të zbrazëta (blanko) të shteteve të ndryshme dhe pajisjeve që shërbejnë për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.
Në muajin janar të këtij viti njësitë e rendit të Policisë së Kosovës në Prishtinë kishte ndaluar një automjet me targa vendore, që drejtohej nga i dyshuari me inicialet F.K., ku gjatë kontrollit është zbuluar një sasi e madhe e dokumenteve të zbrazëta.
Pas hetimeve të mëtejme, në të njëjtën ditë, në një shtëpi të dyshuar në lagjen Veternik të Prishtinës është zbuluar një laborator i pajisur me makina të ndryshme lazerike, printerë dhe pajisje të tjera që përdoren për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, si dhe dokumente blanko me kopertina të shteteve të ndryshme të Evropës dhe botës”, thuhet më tej në njoftim.















