Laburistët fitojnë zgjedhjet në Britani, Keir Starmer do të jetë kryeministri i ri
Mbretëria e Bashkuar tashmë ka një kryeministër të ri, Keir Starmer i Partisë Laburiste, i cili i është drejtuar turmave në qendër të Londrës pas fitores historike në zgjedhjet parlamentare. Me një entuziazëm të dukshëm, Starmer deklaroi se “ndryshimi fillon tani”, duke falënderuar të gjithë ata që kontribuan në fitoren e laburistëve. “Ju keni bërë […]
Mbretëria e Bashkuar tashmë ka një kryeministër të ri, Keir Starmer i Partisë Laburiste, i cili i është drejtuar turmave në qendër të Londrës pas fitores historike në zgjedhjet parlamentare.
Me një entuziazëm të dukshëm, Starmer deklaroi se “ndryshimi fillon tani”, duke falënderuar të gjithë ata që kontribuan në fitoren e laburistëve.
“Ju keni bërë fushatë për të, keni luftuar për të dhe tani ajo ka ardhur”, ka thënë Starmer, duke theksuar se mandati i ri i Laburistëve sjell edhe një “përgjegjësi më të madhe”, raporton BBC.
Rezultatet paraprake tregojnë se laburistët vazhdojnë të fitojnë vende në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa Partia Konservatore po përjeton një nga rezultatet më të dobëta në histori, me tetë ministra që kanë humbur pozitat e tyre.
Një “exit poll” i publikuar pas mbylljes së vendvotimeve tregoi se Partia Laburiste ka siguruar një shumicë të madhe të votave, duke përfituar nga zhgënjimi i thellë i elektoratit pas 14 viteve të qeverisjes konservatore.
Sipas këtij sondazhi, Starmer pritet të ketë 410 vende në Parlamentin britanik, që përbëhet prej 650 vendesh.

“Të gjithë atyre që bënë fushatë për laburistët në këto zgjedhje, të gjithë atyre që votuan për ne dhe i besuan Partisë sonë të ndryshuar Laburiste – faleminderit,” ka shkruar Starmer në platformën sociale X, pas publikimit të shifrave të sondazhit.
Kjo fitore përbën një goditje të madhe për konservatorët e kryeministrit Rishi Sunak, të cilët ndodhen në pushtet që nga viti 2010.
Ata pritet të kenë vetëm 131 vende në përbërjen e ardhshme të Parlamentit. Në zgjedhjet e vitit 2019, konservatorët fituan 365 vende dhe laburistët 202.
Që atëherë, ndryshimet e brendshme dhe dorëheqjet e kanë reduktuar shumicën e konservatorëve, duke u dhënë laburistëve një mundësi të re për të udhëhequr vendin.
Laburistët sigurojnë shumicë të qartë në zgjedhjet britanike, sipas “exit poll”-it















