Lahi Brahimaj, ish-bashkëluftëtari i heroit të Kosovës, Rasim Kiqina, ka rrëfyer historinë për të, në përvjetorin e rënies së tij.

Brahimaj ka thënë se Kiqinën e njihte prej kohësh, përkatësisht nga viti 1996–1998, kur kishin zhvilluar disa takime, përfshirë edhe udhëtime për furnizim nga Shqipëria për në Kosovë.

Ai ka thënë se rruga që bënin për furnizim nga Shqipëria për në Kosovë dhe anasjelltas ishte rrugë sfiduese, andaj duhej të ishin të përgatitur fizikisht e psikikisht për këtë mision.

Brahimaj ka kujtuar vitin 1997, kur Rasim Kiqina kishte ardhur me Musë Jasharin në odën e tij.

“Ishin një grup prej 7–8 vetash të Drenicës; ka qenë Musë Jashari, Jahir Demaku, Rasimi – si gjithmonë – ishte në ekip, Muharrem Xhemajli dhe disa emra që tash mundem me i harru,” ka thënë ai.

Brahimaj ka treguar se si Kiqina i kishte thënë gjatë një shetitjeje në fshatin e tij për një shtëpi që të bëhej kazermë ushtarake.

“Ishte krejt në dalje të fshatit [shtëpia], e futur si në mal me mur, si zakonisht siç janë shtëpitë në Dukagjin, rreth një hektar me mur, dhe u ndalëm, po e shikojmë, dhe tha: ‘Kjo koka e mirë me e bë kazermë ushtarake.’ Në fakt, menjëherë atë natë i kemi vendos ushtarët e grupit të Drenicës, një pjesë të ushtarëve të Dukagjinit, dhe prej asaj dite ajo, deri në çlirimin e Kosovës, ishte kazermë ku u jetua dhe u veprua si kazermë ushtarake. Vërtet [Rasimi] ishte strateg,” ka thënë ai.

Ai tutje ka thënë se ajo shtëpi, figurativisht, është kazerma e parë e UÇK-së në Kosovë.

Ish-bashkëluftëtari i Rasim Kiqinës ka thënë se fuqinë e një brigade në Zonën e Dukagjinit, në vazhdimësi, ia kishte marrë furnizimi me armatim për zonat e tjera ushtarake në Kosovë.

“Komandanti i Zonës, Ramush Haradinaj, ka menduar një ekip që të bashkëudhëtojë me grupet e Drenicës e të Llapit për furnizim, dhe pothuajse fuqinë e një brigade çdoherë na e ka marrë furnizimi për zonat e tjera. Ka qenë shumë me rrezik dhe numri i ushtarëve që na janë vrarë neve të Dukagjinit është duke dërguar djem për furnizim në Shqipëri dhe duke dërguar të plagosurit në Shqipëri.”

“Në këtë grup njëherë kujtoj kur ishte i plagosur Sahit Jashari; erdha për ta dërguar Sahitin në Shqipëri për trajtim… Unë Sahitin nuk e kam njohur, Musën – vëllanë e Sahitit – e kam njohur. Ishin edhe Rasimi e Jahiri…”, duke shtuar se është e pashpjegueshme se si është kaluar nëpër ato rrugë me 45–50 kg municion e armë, dhe “duke qenë në çdo sekondë i rrezikuar për pritë e befasi të forcave serbe”, ka thënë ai.