I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se në një videokonferencë ka biseduar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Lajçak ka thënë se me Bislimin ka diskutuar për një listë të çështjeve të dialogut Kosovë – Serbi.

“Pati një videokonferencë të detajuar me First DPM, Besnik Bislimi sot në një listë të çështjeve të Dialogut. U ra dakord për vazhdimin dhe hapat e mëtejshëm”, ka shkruar Lajçak në platformën X.

Had a detailed video conference with First DPM @BislimiBesnik today on a list of Dialogue issues. Agreed on follow-up and next steps. pic.twitter.com/ltpZteNpQd

— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) December 13, 2023

Më 11 dhjetor, Lajçak kishte takuar kryenegociatorin serb për dialogun Kosovë-Serbi, Petar Petkoviq.

Emisari i BE-së pas takimit ka thënë se është diskutuar për draftstatutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Lajçaku ka thënë se janë diskutuar edhe hapat e ardhshëm për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe obligimet e mbetura në pritje.

Ndërkaq, siç ka bërë të ditur edhe Petkoviq në platformën X, përgjatë takimit me Lajçak ka diskutuar për marrëveshjet e arritura deri më tani dhe për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.