Pas Beogradit, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajcak, ka ardhur në Prishtinë.

Brenda objektit të qeverisë, ai diskutoi për rreth një orë me kryeministrin Albin Kurti, rreth bisedimeve me Serbinë.

Në takim mori pjesë edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde.

Lajcak pas bisedave me Kurtin, tregoi se po punojnë që së shpejti të organizojnë një takim Kurti – Vuqiq në Bruksel.

“Arsyeja që jam këtu është për të rikthyer diskutimet tona në normalizimin e raporteve dhe të diskutojmë hapat e ardhshëm në procesin që është i bazuar në letrën që kam prezantuar këtu më 9 shtator. Ne dëshirojmë ta përdorim këtë moment dhe po punojnë për takime të nivelit të lartë në të cilat do të adresohet çështja e normalizimit dhe dëshirojmë që këto takime të nivelit të lartë të mbahen brenda disa javëve”, ka thënë Lajçak.

Lajçak theksoi se koha për normalizim ka ardhur.

“Ne vërtetë besojmë se nuk ka kohë për të humbur për këtë, ne nuk jemi në presion, por nuk duam ta humbim këtë momentum pozitiv”, tha ai.

Diskutimet për procesin e normalizimit, Lajçak tregoi se nuk do të vonojnë.

“Procesi i normalizimit do të nis brenda javësh. Pastaj, është në duar të të dyja palëve, ne nuk dëshirojmë ta vonojmë këtë, momentumi tani është aty dhe nuk do të jetë përgjithmonë, kështu që ne nuk duam ta vonojmë këtë proces. Marsi. Ju e dini unë nuk jam i dua shumë afatet, kanë qenë deri më tani shumë afate këtu, por do të thoja që në mars do të shohim ku nëse jemi duke pasur progres”, ka thënë Lajçak.

Prapa dyerve të mbyllura, diplomati sllovak tha se foli me kryeministrin Kurti edhe për tema të tjera.

Ndër to, zgjedhjet në komunat veriore, marrëveshjen e energjisë, si dhe për marrëveshjen për të pagjeturit, për të cilën theksoi se është afër të arrihet, mirëpo u shtye për shkak të zhvillimeve të tjera.