Lajçak: Palët nuk rënë dakord për modalitetet e zbatimit, synojmë të gjejmë zgjidhje në javët e ardhshme

Miroslav Lajçak ka thënë se shpreson se pyetjet dhe mosmarrëveshjet në lidhje me modalitetet do të zgjidhen në javët në vijim. Në veçanti, është theksuar se një pjesë e diskutimeve është përqendruar te propozimi evropian për statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ai gjithashtu ka përmendur se edhe Serbia ka detyrime të pazgjidhura nga Marrëveshja dhe është e rëndësishme që të dy vendet të ndjekin procesin e zbatimit paralelisht

I dërguari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në përmbledhjen javore të agjendës së tij, ka shkruar për takimet e së enjtes që u zhvilluan në Bruksel, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq patën me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministren italiane, Giorgia Meloni, presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe shefin e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

“Ideja ishte e thjeshtë – për të vazhduar diskutimet tona fundjavën e kaluar gjatë misionit tonë të përbashkët në Prishtinë dhe Beograd dhe për të avancuar zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit. Ato që ishin planifikuar të ishin takime të shkurtra me liderët evropianë, u kthyen në negociata të gjata të ndara me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti pasi liderët evropianë duhej të largoheshin për në Këshill”, ka thënë Lajçak.

Lajçak ka treguar, se Kurti dhe Vuçiq janë treguar të gatshëm për zbatimin e marrëveshjes, por kanë pasur mospajtime për modalitetin.

Tutje, emisari i BE-së, Lajçak ka thënë se Kurti dhe Vuçiq kanë pasur pyetje e komente, duke shtuar se shpreson se do të sqarohen gjatë javëve të ardhshme.

”E mirëpres që të dy liderët treguan gatishmëri për zbatimin e Marrëveshjes, megjithëse nuk arritën të bien dakord për modalitetet. Ata kishin komente dhe pyetje për propozimin evropian për statutin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, të cilin ua kemi paraqitur gjatë misionit tonë të përbashkët të shtunën e kaluar”, vijon ai.

Përveç kësaj, Lajçak përmendi edhe Asociacionin  e komunave me shumicë serbe, duke thënë se janë në kërkim të opsioneve moderne evropiane.

”Shpresoj se do të jemi në gjendje të sqarojmë pyetjet dhe shqetësimet e hapura në javët në vijim. Statuti ynë propozon një mënyrë moderne evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane dhe nuk i kalon kufijtë e kuq të Palëve siç janë përcaktuar më parë. Por ky nuk është i vetmi element që ka nevojë për zbatim”, ka thënë Lajçak.

Por, ai ka shtuar se Asociacioni nuk është vetmja çështje që ka nevojë për zbatim, pasi edhe Serbia ka obligime të pazgjidhura.

“Edhe Serbia ka shumë obligime të pazgjidhura nga Marrëveshja dhe ne duhet të shohim që zbatimi të përparojë paralelisht, në mënyrë që edhe Kosova edhe Serbia të marrin atë që kanë rënë dakord. Fokusi tani duhet të jetë në avancimin e zbatimit të Marrëveshjes pa parakushte apo vonesa. Siç u shpreh qartë tre liderët evropianë, formalitetet nuk duhet të pengojnë këtë proces të rëndësishëm. Me këtë në mendje, unë do të ftoj kryenegociatorët së shpejti në Bruksel për të diskutuar hapat e ardhshëm”, ka përfunduar Lajçak.

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika