I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimeve që ka zhvilluar nga hëna në Kosovë, ka thënë se ka pasur një ditë shumë produktive.

Po ashtu, ai ka thënë se gjatë takimeve që ka zhvilluar ka pasur shkëmbime të mira për zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë – Serbi.

“Sot pata një ditë shumë produktive në Kosovë me shkëmbime të mira për zhvillimet e fundit në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe rrugën përpara. Falënderoj të gjithë bashkëbiseduesit e mi për rolin dhe mbështetjen e tyre aktive”, ka shkruar Lajçak në platformën X.

Had a very productive day in Kosovo today with good exchanges on latest developments in the EU-facilitated Dialogue and the way ahead. Grateful to all my interlocutors for their active role and support. pic.twitter.com/Jc0KWPmbTW

— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) November 7, 2023

Lajçak mbrëmjen e së hënës, është takuar me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Në njoftimin e zyrës së kryeministrit thuhet se në këtë takim u diskutua në lidhje me “të gjitha aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit”.

Por, emisari i BE-së pas takimit ka thënë se kanë rënë dakord për hapat e ardhshëm.

Ndërsa, të martën ai ka takuar udhëheqësit e partive opozitare.

Prej partive opozitare prezent në takim ishin kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri dhe kryetari AAK-së, Ramush Haradinaj.

Pas takimit, kryetari i PDK-së ka deklaruar para mediave se Lajçak u ka thënë atyre se draft-statuti i Asociacionit është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe që sipas tij, nuk kalon vijat e kuqe.

Krasniqi ka deklaruar se Lajçak nuk ua ka prezantuar tekstin e draft-statutit, edhe pse kjo sipas tij  ka qenë kërkesë e vazhdueshme e PDK-së.

Gjithashtu, pak para takimit me udhëheqësit e partive opozitare, Lajçak është takuar edhe me ambasadorët e akredituar në Kosovë.

Pas Kosovës, i dërguari i posaçëm i BE-së do ta vizitojë edhe Beogradin, kështu të paktën thonë nga Bashkimi Evropian.