I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se në takimin e tij me zëvëndëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, kanë theksuar rëndësinë e pajtimit se çdo gjë mbi të cilën është rënë dakord, do të bëhet edhe zbatimi i saj.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Lajçak, përmes një postimi në Twitter.

“Në një takim vijues pas atij të djeshmit për dialogun me zëvëndkryeministrin Besnik Bislimi. Mezi pres vizitën time në Kosovë së shpejti, për të diskutuar modalitetet e zbatimit. Theksuam rëndësinë e marrëveshjes për aneksin e zbatimit për të garantuar se gjithçka që është rënë dakord do të zbatohet”, ka deklaruar Lajçak.

Followed up on yesterday’s Dialogue meeting with DPM @BislimiBesnik. Looking forward to my visit to Kosovo soon to discuss implementation modalities. Highlighted the importance of agreeing on the implementation annex to guarantee that everything agreed will be implemented. pic.twitter.com/z4t1MDHVhs

— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) February 28, 2023

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është takuar edhe me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ai bëri të ditur se së bashku me Escobar kanë diskutuar për koordinimin e hapave të ardhshëm për dialogun Kosovë-Serbi, pas takimit të së hënës në Bruksel.

Ndonëse marrëveshjet për Asocacionin u arritën në vitet 2013 dhe 2015, ishte Gjykata Kushtetuese, ajo e cila tha se marrëveshja e fundit nuk ishte në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia vazhdon të insistojë në themelimin e Asociacionit, por Qeveria e Kosovës e kundërshton një Asociacionin njëetnik, i cili, sipas saj, do të mund të krijonte një nivel të ri të pushtetit.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan më 27 shkurt në Bruksel, me ç’rast, u pajtuan se nuk kanë më nevojë të diskutojnë për propozimin evropian për normalizimin e raporteve në mes dy vendeve.