Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se të hënën ka zhvilluar një takim në New York, me këshilltarin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Derek Chollet, dhe me të dërguarin e Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në deklaratën e tij, Lajçaku ka theksuar se ky takim ishte një takim miqësor dhe konsultim në mes të miqve të mirë, ndërsa shprehu gëzimin e tij që ka pasur mundësinë të diskutojë për zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu, ai ka deklaruar se ndajnë të njëjtin mendim rreth situatës në Ballkanin Perëndimor.
“Kishim darkë mes miqsh të mirë në Nju Jork me Derek Chollet dhe DAS Escobar. Gjithmonë është e dobishme të rikonfirmojmë se ne ndajmë të njëjtin mendim të situatës në Ballkanin Perëndimor dhe jemi në të njëjtën linjë në lidhje me rrugën përpara,” ka shkruar Lajçak në një postim në një platformën X, e njohur më parë si Twitter.
Had dinner among good friends in New York with @CounselorDOS Derek Chollet and DAS Escobar. Always useful to reconfirm that we share the same reading of the situation in the Western Balkans and are on the same line regarding the way forward. pic.twitter.com/6xmlc6ACG0
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) September 19, 2023
Ndërkaq, këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka biseduar me presidenten e Kosovës për angazhimin në dialogun për normalizimin e raporteve në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe për “nevojën për të shtensionuar situatën” në veri të Kosovës.
Chollet, së bashku me të dërguarin e Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u takuan me Osmanin në New York.
“Një bisedë e mirë me presidenten Vjosa Osmani për zotimin tonë të përbashkët për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, për nevojën për të shtensionuar situatën dhe për angazhimin urgjent në dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë që lehtësohet nga BE-ja – që është kyç për stabilitetin rajonal dhe integrimin drejt BE-së”, shkroi Chollet në X, që më herët njihej si Twitter.
Gjatë diskutimeve të tyre, siç ka njoftuar Zyra e Presidencës, Osmani ka theksuar rëndësinë e angazhimit dhe të rolit kyç të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, duke e konsideruar atë si një faktor kyç për suksesin e plotë të dialogut dhe për njohjen e ndërsjellë.