Lajçak: Pranimi i Planit Evropian nga Kosova dhe Serbia zvogëlon hapësirën e Rusisë për ndërhyrje në Ballkan

I dërguari i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se pranimi i propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve do të zvogëlojë hapësirën për ndërhyrjen e Rusisë në ngjarjet në rajon dhe të krijojë kaos

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë sot se pranimi i propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të zvogëlojë hapësirën për ndërhyrjen e Rusisë në ngjarjet në rajon dhe krijimin e kaosit.

“Pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është më i rëndësishëm se kurrë për Bashkimin Evropian”, ka thënë Lajçak, gjatë konferencës online “Evropa dhe Rusia në Frontin Ballkanik”, organizuar nga Instituti Italian për Studime Politike Ndërkombëtare.

Siç raportojnë mediat serbe, ai ka vlerësuar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë probleme kyçe për të gjithë rajonin, i cili bllokon normalizimin e Ballkanit Perëndimor dhe lirinë e lëvizjes.

“Pranimi i marrëveshjes do të ishte një mesazh pozitiv për të gjithë rajonin”, ka thënë Lajçak.

Duke thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar se nuk ka nevojë për bisedime të reja për tekstin e marrëveshjes, Lajçak ka thënë se duhet të përcaktohet rendi i hapave të ardhshëm, afatet dhe kush duhet të bëjë atë që duhet të bëjë.

“Kemi krijuar anekse në lidhje me zbatimin e marrëveshjes. Pas bisedimeve të mia në Prishtinë dhe Beograd, është duke u përgatitur një version i ri i aneksit, i cili do të diskutohet në Ohër të shtunën”, ka thënë Lajçak.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars, për ta diskutuar zbatimin e planit 11-pikësh të BE-së.

Dy udhëheqësit u dakorduan muajin e kaluar se përmbajtja e tij nuk ka nevojë të diskutohet më tej.

Plani i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë pavarësinë e Kosovës, por dy vendet do t’i njihnin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat.

Serbia, gjithashtu, nuk do ta bllokonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Plani, po ashtu, u kërkon palëve që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë atë për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ky Asociacion i dakorduar qysh në vitin 2013, do t’i mundësonte komunitetit serb të menaxhojë çështje të tilla, si: zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia dhe planifikimi urban dhe rural në zonat e tij.

Qeveria e Kosovës refuzon ta formojë, duke argumentuar se asociacionet njëetnike shkelin Kushtetutën e saj dhe kërcënojnë funksionalitetin e shtetit.

Qeveria e Serbisë, në anën tjetër, e sheh Asociacionin si mbrojtje të rëndësishme për serbët në Kosovë.

Shija e redaktorit

Radio Dukagjini i’a qet “Pikën”

Radio Dukagjini po vjen me skemë të re programore. “Pikë”, është një ndër emisionet më të reja që do të filloj në kuadër të kësaj...

Më 30 mars në librarinë “Dukagjini” mbahet promovimi i librit...

Më 30 mars, e enjte, në orën 18:00, në librarinë “Dukagjini” do të mbahet promovimi i librit “Pse s'ma ka thënë njeri më parë”, i...

Kosova dhe Izraeli ndajnë pikët; “Dardanët” nisin mbarë kualifikimet për...

Kosova pati një paraqitje solide në ndeshjen e parë të Grupit I në kualifikimet për “Euro 2024”. Në një ndeshje me emocione, Kosova arriti të...

Të fundit nga rubrika