Lajçak: S’duam një Ukrainë të dytë në Kosovë, po punojmë për normalizim
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se nuk duan një Ukrainë tjetër, duke iu referuar luftës atje për situatën në veri të Kosovës. Lajçak ka theksuar se po punojnë intensivisht për të qetësuar situatën në vend dhe se dëshirojnë të marrin informacione nga KFOR-i për të qartësuar […]
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se nuk duan një Ukrainë tjetër, duke iu referuar luftës atje për situatën në veri të Kosovës.
Lajçak ka theksuar se po punojnë intensivisht për të qetësuar situatën në vend dhe se dëshirojnë të marrin informacione nga KFOR-i për të qartësuar faktet, nga kidnapimi i policëve kosovarë nga forcat serbe.
“Le të presim nga NATO që të na tregojë se çfarë ka ndodhur dhe ku ka ndodhur. Ne duam ti qartësojmë faktet. Nuk duam të sjellim vendime pa i ditur të gjitha faktet. Po bëjmë gjithçka që mos të ndodhë një Ukrainë tjetër, përkundrazi. Për këtë shkak ne po e promovojmë procesin e normalizimit. Normalizimi është e kundërta e Ukrainës”, ka deklaruar ai për Euronews Albania.
“Dhe përse ne po bëjmë thirrje për deeskalim? Sepse nuk duam njerëz në rrugë. Nuk duam dhunë. Duam normalizim! Jemi duke pritur për informacione nga KFOR-i,” – ka deklaruar tutje ai gjatë vizitës së tij në Strugë.
Po ashtu, Lajçak, ka thënë se palët nuk janë duke i besuar njëra-tjetrës në rrugën drejt normalizimit të raporteve.
“Të dyja palët na thonë: le të bëjë pala tjetër atë që ju dëshironi ta bëjë, dhe ne premtojmë që do ta bëjmë pjesën tonë. Por, nuk funksionon ashtu. Filozofia jonë është që ‘ju duhet të bëni diçka, ashtu që të mund të merrni diçka’, hap pas hapi, duke ndërtuar besimin”, ka deklaruar ai.
Duke folur në kuadër të “Forumit të Prespës për Dialog”, të mbajtur në Strugë të Maqedonisë së Veriut, Lajçak ka thënë se për të çuar përpara procesin, duhet të ketë pajtim, dialog, guxim dhe vizion.
“Gjëja më e mirë që mund të ndodhë me marrëveshjet e paqes është që ato të zbatohen sa më parë”.
Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale.
Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.















