Sfidat për zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur në Ballkanin Perëndimor ishte tema e cila u diskutua në takimin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe presidentes së Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq,  Mirjana Spoljaric Egger.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Lajçak, përmes një postimi në Twitter.

“Mirë të shihja presidenten e ICRC, Mirjana Spoljaric Egger, në postin e saj të ri në Bruksel. Diskutuam për prespektivat dhe sfidat për zgjidhjen e rasteve të mbetura të Personave të Zhdukur në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në postim.

Good to see @ICRCPresident Mirjana Spoljaric Egger in her new capacity in Brussels. We discussed prospects and challenges resolving the remaining Missing Persons cases in the Western Balkans. 🇪🇺 fully supports @ICRC efforts and commitment. pic.twitter.com/XrGbXME1QW

— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) March 21, 2023

Në aneksin e publikuar nga BE-ja të shtunën, pas takimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, u bë e ditur se edhe çështja e personave të zhdukur ishte e përfshirë në të.

“Palët bien dakord të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, si çështje urgjente”, thuhet në aneks.