Largimi i serbëve nga institucionet në veri – Disa kërkuan të kthehen, por ishte vonë

Në nëntor të vitit 2022 dhanë dorëheqje pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës, të gjyqësorit dhe prokurorisë në veri të vendit.

Dorëheqjet e tyre pasuan pas vendimit të Listës Serbe për largim nga institucionet qendrore të Kosovës.

Këto tri institucione tregojnë për KosovaPress, se si ka vijuar puna pas dorëheqjes së tyre, si është bërë zëvendësimi dhe a ka pasur rast të ndonjë pjesëtari serb që ka bërë kërkesë për rikthim në punë.

Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano pret rikthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në këto dy institucione.

Sipas tij, një gjë e tillë është e mundur sepse dorëheqjet e tyre nuk janë pranuar nga KPK dhe KGjK.

“Ky është sërish një vakum që duhet mbushur, nuk mund të lini një territor pa shërbimin e policisë apo pa drejtësi. Pra, natyrisht, tani efekti është që prania e Policisë së Kosovës në veri, përbërja e Policisë së Kosovës në veri nuk pasqyron përbërjen e popullsisë në përqindje. Mirëpo, ne i mirëpritëm dy drejtimet e fundit të kadetëve të rinj që reflektuan në përzgjedhjen e kadetëve që kemi dërguar në veri, pasqyruan më mirë përbërjen e pakicave. Sigurisht, shifrat nuk janë ende të mjaftueshme për të dhënë përqindjen perfekte, por ndoshta jemi në rrugën e duhur për ta zgjidhur këtë aspekt. Problemi është se disa nga këta kadetë kanë vuajtur nga kërcënimet, dhe disa prej tyre vendosën të japin dorëheqje nga Policia e Kosovës. Aspekti tjetër që ka të bëjë me misionin ka të bëjë me dorëheqjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në veri. Kthimi i tyre është i mundur. Është e mundur sepse dorëheqja e tyre nuk është pranuar nga Këshilli i Drejtësisë së Kosovës dhe nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Pra, nëse vendosin të kthehen, do të mirëpriten në institucionet e tyre. Dhe ne, sigurisht, presim me padurim një rikthim të tillë”, deklaron ai.

Gjykata Themelore në Mitrovicë thotë se nuk ka pasur kërkesë për kthim në punë, ndërkohë që mohojnë se gjyqtarët serbë të dorëhequr figurojnë në listën e pagave.

“Ne si Gjykatë nuk kemi pranuar kërkesë të tillë kurse sa i përket çështjes së pagave, është publik reagimi i menjëhershëm i KGJK-së për largimin nga lista e pagave. Dorëheqja ka ndikuar në 2-3 muajt e parë, por më pas jo pasi që Gjykata është ri-organizuar dhe stabilizuar. Nëse bëjmë krahasim të raportit statistikor për lëndët e pranuara dhe përfunduara në vitin 2022, me lëndët e pranuara dhe përfunduara në vitin 2023, rezulton që në vitin 2023 përqindja e përfundimit të lëndëve ka qenë 91%, në krahasim me vitin 2022 që ka qenë 79%”, theksohet më tej në këtë përgjigje.

Numri i gjyqtarëve serbë të cilët kanë dhënë dorëheqje është 24. Gjykata Themelore në Mitrovicë përmes një përgjigje me shkrim thotë se numri total i stafit administrativ të cilët janë larguar nga ky institucion tejkalon numrin 100.

“Numri i gjyqtarëve serbë të dorëhequr me datë 07.11.2022 është gjithsej 24, prej tyre 20 nga Gjykata Themelore Mitrovicë, 2 nga dega Leposaviq, 2 nga dega Zubin Potok, ndërsa numri total i stafit administrativ të dorëhequr është 110. Si masë e parë që Gjykata e ka ndërmarrë është ndryshimi i planit të punës, ndryshim-plan ky i miratuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, me të cilën është bërë ri-organizim i gjyqtarëve dhe stafit mbështetës, duke i bërë lëvizje brenda departamenteve, me qëllim të mbulimit të pozitave boshe. Puna ka vazhduar normalisht, fillimisht me trajtimin e rasteve urgjente (18 raste me masa, 7 kanë patur të bëjnë me veprën penale-Vrasje) si dhe rastet nga divizioni civil (Urdhër mbrojtje)”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Edhe zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Kosovës, Veton Elshani thotë se asnjë polic serb i dorëhequr nuk pranon pagë.

“Procedurat e policisë e lejojnë edhe mundësinë që të ketë një muaj pushim pa pagesë, dy muaj deri në tre muaj dhe këto periudha kohore mund të shfrytëzohen nga ana jonë, sidomos në veri të vendit në atë kohë, në fillim janë shfrytëzuar sepse tash jo, që policëve t’iu jepet shansa që të mos japin dorëheqje. Arsyeja pse ne kemi bërë tolerime për personale ka qenë presioni i madh i cili është bërë ndaj tyre dhe ne e dimë. Por, nuk ka polic i cili ka dhënë dorëheqje dhe se ka vendim të lëshuar për dorëheqje që pranon pagë”, deklaron ai.

Ai shton se në mënyrë graduale është duke u bërë plotësimi i numrit të policëve në veri të vendit. Elshani tregon se ka pasur kërkesë për rikthim në punë, por pas lëshimit të vendimit për dorëheqje, nuk mund të ndodhë një gjë e tillë.

“Tani i kemi diku rreth 70, numri i përgjithshëm i policëve të rendit është rreth 320. Nuk kemi ndonjë problem, jemi duke e plotësuar numrin ashtu si duhet në mënyrë graduale, nuk kemi ndonjë problem për plotësimin e numrave….Sidoqoftë policët të cilët kanë dhënë dorëheqje dhe i është lëshuar vendimi mbi dorëheqje, të gjithë ata nuk do të kthehen në detyrë. Ne kemi pasur disa policë të cilët kanë dhënë dorëheqje, kemi pasur rast kur kanë bërë kërkesë për kthim, ka pasur disa prej tyre që kanë bërë kërkesë por një nga ta është kthyer sepse nuk i është lëshuar vendimi për dorëheqjen. Në momentin kur lëshohet vendimi për dorëheqje, policë që kthehet në detyrë nuk ka. Kanë qenë mbi 500 policë (që i është lëshuar vendimi për dorëheqje), është lëshuar për të gjithë. Të gjithë ata që kanë ofruar dorëheqje, është një afat kohor i cili merret parasysh nga ana e personelit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë dhe mandej lëshohen vendimet për dorëheqje. Për ata të cilët janë lëshuar vendimet për dorëheqje, që të gjithë janë të larguar dhe nuk kanë mundësi të kthehen”, shton ai.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni deklaron se pas dorëheqjes së komunitetit serb janë ballafaquar me vështirësi në trajtimin e rasteve.

“Prokuroria Themelore e Mitrovicës me dorëheqjen e prokurorëve nga komuniteti serb dhe të stafit administrativ, është ballafaquar me vështirësi në trajtimin e rasteve me të cilat kanë qenë të ngarkuar prokurorët serbë, po ashtu përfaqësimin e lëndëve në gjykatë, kryerjen e punëve administrative dhe të tjera. Mirëpo, me angazhimin maksimal të kryeprokurorit, prokurorëve dhe stafit administrativ është arritur që punët dhe obligimet e përditshme të kryhen. Së fundmi me angazhimin maksimal të ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi, në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë janë transferuar përkohësisht për periudhën gjashtë mujore katër prokurorë, dy prokurorë nga Prokuroria e Apelit dhe dy prokurorë nga prokuroritë themelore. Dhe konsiderojmë që të do të ketë ndikim pozitiv në punën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë”, shprehet Preteni.

Aktualisht në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë janë të angazhuar katër prokurorë në Departamentin për Krime të Rënda, dy prokurorë në Departamentin për të Mitur dhe shtatë prokurorë në Departamentin e Përgjithshëm të kësaj prokurorie.

KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Këshillin Prokurorial të Kosovës, të njëjtit thonë se nga dorëheqja e prokurorëve nuk është kthyer asnjëri në sistemin prokurorial.

“Menjëherë pas dorëheqjeve të prokurorëve dhe stafin administrativ nga radhët e komunitetit serb në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë (7 nëntor 2022), Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka marrë vendim për pezullimin e pagave të tyre dhe që nga ajo kohë nuk është kthyer asnjëri prej tyre në sistemin prokurorial”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Policia e Kosovës, kanë thënë se asnjë nga të dorëhequrit nuk është kthyer në punë dhe nuk ka marrë kompensim page.

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika