Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar në lidhje me plagosjen e dy personave në Shtërpcë gjatë të premtes së 6 janarit.

Përmes një postimi LDK-ja ka dënuar “ashpër” plagosjen e dy të rinjve në Shtërpcë.

“Ftojmë institucionet e sigurisë që të kryejnë të gjitha hetimet e nevojshme për rastin, të sjellin para drejtësisë autorin apo autorët e këtij akti; si dhe të angazhohen që raste të tilla të mos përsëriten më”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Mes tjerash LDK-ja iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, që të ruajnë qetësinë dhe t’u japin kohën e nevojshme organeve të rendit për të zbardhur rastin dhe për të informuar opinionin publik mbi këtë ngjarje.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e dënon ashpër plagosjen e dy të rinjve në Shtërpcë. Ftojmë institucionet e sigurisë që të kryejnë të gjitha hetimet e nevojshme për rastin, të sjellin para drejtësisë autorin apo autorët e këtij akti; si dhe të angazhohen që raste të tilla të mos përsëriten më. Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, që të ruajnë qetësinë dhe t’u japin kohën e nevojshme organeve të rendit për të zbardhur rastin dhe për të informuar opinionin publik mbi këtë ngjarje. Të plagosurve ju urojmë shërim të shpejtë!”, thuhet në reagimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK).

Policia e Kosovës ka njoftuar se të premten rreth orës 15:19 policia e stacionit në Shtërpcë ka pranuar një informacion se në fshatin Drajkovc të Shtërpcës dy persona janë plagosur.

“…njëri rreth 11 vjeçar dhe tjetri rreth 21 vjeçar janë plagosur nga arma e zjarrit nga personi/persona të panjohur i cili/të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftim.