Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka dorëzuar të enjten një kallëzim penal në Prokurori ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrave në detyrë që tashmë janë bërë deputetë.

Kallëzimin penal e kanë dorëzuar shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, dhe deputetja Dorsa Kica-Xhelili.

Sipas LDK-së, kallëzimi lidhet me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Partia thekson se, meqë Kurti dhe ministrat kanë dhënë dorëheqje nga postet në Qeveri për t’u bërë deputetë, ata nuk kanë të drejtë të vazhdojnë të qëndrojnë në qeveri.

Kurti kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit në mes të prillit për të marrë mandatin si deputet.