Lidhja Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë që të ketë qasje serioze dhe që çështja e grave të adresohet në të gjitha nivelet.

Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Jehona Lushtaku, në një konferencë për media, ka thënë se ka pasur rritje të rasteve të dhunës në familje në vitet e fundit.

““Kërkojmë seriozitet nga ana e Qeverisë. Kërkohet qasje serioze strukturore dhe institucionale e përtej kësaj vullnet politik. Këtë vullnet e shohim se ka munguar në dy vjetët e fundit. Nga viti 2021 nga 1986 gra viktima të dhunës në familje kemi pas 2 gra të vrara. Ndërkohë në vitin 2022 kemi pasur një rritje nga 2055 viktima kemi pasur 3 gra të vrara”, ka thënë ajo.

Lushtaku ka përmendur rastin e vrasjes së gruas shtatzënë në Gjinekologji në QKUK.

“Dje isha në vizitë në QKUK dhe asnjë masë ekstra nuk ishte marrë, mund të hyje pa telashe pa të pyetur se kush jam dhe kjo flet shumë që shteti ynë, institucionet përkatëse, nuk i kanë nxjerrë mësimet që të ndërmarrin masa konkrete për adresimin e vrasjeve. Vrasja duhet të jetë emergjencë dhe kërkon politika emergjente nga shteti jonë dhe nga të gjitha institucionet”, ka thënë Lushaku.

Shqetësimi i dytë i LDK-së sipas Lushtakut është edhe niveli i ulët i pjesëmarrjes së grave në tregun e punës.

Ajo ka akuzuar për politika joadekuate.

“Përkundër se janë premtuar nga Qeveria 160 çerdhe të reja, vetëm tri janë nisur. Ka zero angazhim nga Qeveria për të adresuar e përmirësuar gjendjen e grave në tregun e punës”, ka thënë Lushtaku.

“20 për qind gratë janë të diskriminuara nga pagesa për punën e njëjtë me meshkujt. Në terren po e shohim se mungesa e çerdheve e bën më të vështirë dëshirën e grave për t’u punësuar. Faktikisht në këtë Qeveri kemi pasur premtim që të ndërtohen 160 çerdhe dhe  vetëm 3 prej tyre kanë nisur”, tha tutje ajo.

Ajo ka thënë se si LDK ngrehin shqetësimet për politikat e përgjithshme karshi trajtimit të çështjes së gruas në Kosovë.