LDK-ja kërkon hetime për “ndërhyrjen” e Qeverisë në ZKA: Falsifikim i drejtpërdrejtë i raporteve zyrtare

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar hetime nga Prokuroria për veprimet e Qeverisë lidhur me shpenzimet për karburante, duke i cilësuar ato si “falsifikim të drejtpërdrejtë” të raporteve zyrtare të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ndaj veprimeve të Qeverisë së Kosovës lidhur me shpenzimet për karburante, duke kërkuar hetime nga Prokuroria për një rast që ata e quajnë “të paprecedentë”.

Në një konferencë për shtyp, Berati Rukiqi, anëtar i kryesisë së LDK-së, akuzoi Qeverinë për ndërhyrje në raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), duke e cilësuar këtë si një falsifikim të drejtpërdrejtë të raporteve zyrtare.

“Milionat e shpenzuar për naftë” – Bajrami i reagon Muratit, e akuzon për kapje të Zyrës Kombëtare të Auditimit

“Jemi në orët e vona për këtë konferencë për shkak të një rasti të paprecedentë që ka ndodhur, një rast i rëndë i ndërhyrjes institucionale, përkatësisht Qeverisë së Kosovës në institucionet e pavarura, në këtë rast në raportet zyrtare të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Është një rast i paprecedentë për shkak se një të tillë nuk e kemi pa asnjëherë në demokraci.

Nuk është vetëm ndërhyrja në numra, por është një falsifikim i drejtpërdrejtë i raporteve zyrtare që kanë qenë publike që nga muaji gusht i këtij viti. Bëhet fjalë për raportin e auditimit të financave publike, këtë punë që duhet ta kryejnë në mënyrë të pavarur Zyra e Auditorit dhe si e tillë është dashur të qëndrojë, mirëpo ndërhyrja e sotme e Ministrit të Financave, i cili pas humbjes së argumenteve me nënkryetaren e Lidhjes Demokratike të Kosovës, zonjën Hykmete Bajrami, ndërhyn dhe pastaj Zyra Kombëtare e Auditimit e falsifikon raportin në rastin në fjalë”, ka thënë Rrukiqi.

Ai theksoi se Qeveria ka shpenzuar mbi 31 milion euro për naftë dhe karburante, një shifër trefish më e madhe se mesatarja e shpenzimeve të mëparshme. Rukiqi denoncoi këtë veprim si një “krim institucional” dhe kërkoi nga organet hetuese që ta hetojnë këtë rast sa më shpejtë.

“Kemi të bëjmë me çështjen e shpenzimeve për naftë, një qeveri e cila shpenzon në naftë dhe karburante të tjera mbi 31 milion euro, që është trefish më shumë së sa mesatarja që ka qenë para ardhjes së kësaj qeverie. Sigurisht duke e parë këtë krim institucional, ata sot ndërhynë në mënyrën më të pa imagjinueshme, por në të njëjtën kohë vetëm ashtu siç dinë të bëjnë ata me manipulime, me propagandë edhe me falsifikime tani edhe të raporteve të institucioneve që do duhej të ishin shembuj të llogaridhënieve dhe transparencës.

Lidhja Demokratike e Kosovës e dënon fuqishëm këtë akt të falsifikimit dhe në të njëjtën kohë i bën thirrje organeve hetuese, përkatësisht Prokurorisë, që ta hetojë sa më shpejtë këtë krim të rëndë. Një falsifikim i tillë nuk mund të cilësohet ndryshe përveç se një krim i rëndë institucional ku ka shumë palë të përfshira. LDK do të angazhohet me të gjithë kapacitetin e vetë edhe brenda institucioneve, përkatësisht brenda parlamentit që të zbardhet ky rast i rëndë i falsifikimit dhe i ndërhyrjes së qeverisë në institucionet e pavarura. Gjithashtu ne garantojmë qytetarët e vendit që do të punojmë vazhdimisht që të mbrohet demokracia në vend dhe në të njëjtën kohë garantojmë që ndryshimi po vjen dhe ky ndryshim bëhet për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit tonë”, ka thënë Rukiqi.

Ndërkaq, Zyra Kombëtare e Auditimit ka reaguar ndaj pretendimeve për ndryshimin e raportit të shpenzimeve për karburante.

Në një njoftim, ZKA sqaroi se gjatë procesit të përgatitjes teknike ishte lëshuar një gabim në raportin për shpenzimet e Qeverisë, ku ishin mbetur të dhënat nga Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2022.

ZKA theksoi se janë korrigjuar të dhënat e shpenzimeve, duke i përfshirë ato të sakta për vitin 2023, ku shpenzimet për karburante arrijnë në 27,910,000 euro.

“Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes këtij sqarimi njofton opinionin publik se në Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2023 gjatë procesit të përgatitjes teknike është lëshuar një gabim, ku në faqen 42 të raportit përkatësisht te kategoria “Mallrat dhe Shërbimet” kanë mbetur të dhënat nga Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2022.

Me qëllim të informimit të drejtë dhe të saktë, ZKA-ja sqaron se në faqen 42 përkatësisht te shënimi “Mallrat dhe Shërbimet” ku është bërë përshkrimi i zërave kryesorë që përbëjnë shpenzimet e kësaj kategorie, të dhënat e paraqitura nuk paraqesin gjendjen sipas të dhënave nga Raporti Vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.

Me vendim të Auditores së Përgjithshme është korrigjuar Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2023 në faqen 42, te paragrafi 2 janë bartur të dhënat e korrigjuara të cilat përkojnë me të dhënat e sakta me Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës 2023, përkatësisht, shënimi 28 “Mallrat dhe shërbimet” si në vijim: Zërat kryesor në këtë kategori të cilat përfshijnë pjesën më të madhe të shpenzimeve janë: shërbimet kontraktuese tjera me 70,927,000€, furnizimet mjekësore 61,714,000€, shpenzimet e karburantit dhe ngrohjes 27,910,000€, blerja e librave 514,000€, shpenzimet e qirasë 11,495,000€ etj.

Për hir të korrektësisë, njoftojmë opinionin publik se sipas metodologjisë së Zyrës Kombëtare të Auditimit në tri vitet e fundit shifra për shpenzimet e karburantit është e përmbledhur. Sipas dëshmive të auditorit, vlera e korrigjuar për 2023 për karburante përfshin shpenzimet për vetura në vlerën 10,471,000 €, naftën për ngrohje qendrore 7,590,000 €, mazutin 833, 000 €, derivatet për gjeneratorë 520,000 €, dru 8,288, 000 € si dhe vaj 208, 000 €” thuhet në njoftim.

Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika