Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka mbajtur një tubim elektoral në Qendrën e Kulturës “Imri Curri” në Han të Elezit.

Abdixhiku nga aty para mijëra simpatizantëve dhe qytetarëve të këtij rajoni ka thënë se është e rëndësishme për vendin bashkëpunimi dhe unitetit kombëtar për të kapërcyer sfidat me të cilat po përballet vendi.

Tutje ai ka thënë se LDK-ja është një forcë politike që gjithmonë ka qëndruar në anën e drejtë të historisë.

“Sot, nga Hani i Elezit, fillojmë një udhëtim që nuk synon vetëm fitoren elektorale, por edhe integrimin evropian. Për një Kosovë ku flitet për paqe, e jo një Kosovë ku flitet për luftë. Kosova nuk ka kohë për të humbur,” tha Abdixhiku.

Ai tha se krijimi i një klime mirëbesimi mes qytetarëve është urgjent.

“LDK di dhe mundet. Duhet të punojmë së bashku për një të ardhme të ndershme, të lirë dhe të drejtë,” përfundoi ai.