LDK-ja vlerëson se strategjia për energji u bë për t’i mbuluar dështimet, e quan “strategji të thëngjillit”

Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj, Visar Azemi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka kaluar me shpejtësi Strategjinë për Energjinë.

Në një konferencë për media, Azemi tha se kjo u bë për ta mbuluar dështimin e qeverisë, derisa shtoi se si pasojë e mungesës së një strategjie të mirëfilltë, shpeshherë ka pasur rritje të çmimit të energjisë.

“Kosova në të gjitha krizat energjetike gjatë dy viteve të fundit është futur pa pasur strategji të aprovuar dhe ide se si t’i menaxhojë këto kriza të cilat rezultuan me rritje të çmimit të energjisë elektrike. Kjo strategji u vonua me muaj të tërë dhe u harrua tërësisht, ndërsa dje u kalua me urgjencë në Kuvend”, tha ai.

Sipas tij, edhe pse në dokument konstaton saktë që sektori i ngrohjes konsumon më shumë energji se çdo sektor tjetër i sistemit elektroenergjetik të Kosovës, “kjo strategji nuk e adreson këtë si çështje dhe kjo nuk reflekton në programet e propozuara nga kjo qeveri”.

“Në këtë dokument thuhet se ngrohja do të trajtohet në kuadër të strategjisë për ngrohje. Paramendojeni, strategji e energjisë që nuk trajton problemin kryesor të konstatuar në vetë Dokumentin”, shtoi ai.

Azemi shtoi se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja në kuadër të tranzicionit prej djegies së lëndëve fosile deri në një koncept komplet të gjelbër janë duke e përdorur gazin.

“Pra, gazi është gjerësisht i njohur si mjet tranzicioni drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë, për shkak të dendësisë së lartë të energjisë, dhe ndikimit të vogël në mjedis. Të njëjtën alternativë e kanë ofruar edhe për shtetin tonë dhe kjo duhet shqyrtuar me seriozitet nëse dëshirojmë të krijojmë stabilitet në furnizim dhe siguri energjetike. Rrjedhimisht, gazin duhet parë si një mjet tranzicioni për prodhim të energjisë elektrike dhe gjithsesi edhe si mundësi për të ndërtuar ngrohtore qendrore në qytetet e mëdha të Kosovës. Kjo do të ulte në masë të madhe kërkesën për ngrohje me energji elektrike”.

Sa i përket ruajtjes së energjisë, ai tha se strategjia parashikon një sasi për balancim të rrjetit dhe për forma të ruajtjes së energjisë (energy storage) prej vetëm 200 milionë euro e që siç thotë Azemi është një shumë jashtëzakonisht e vogël dhe e pamjaftueshme për balancimin e rrjetit elektro-energjetik në të ardhmen dhe është nevojë urgjente që ky kapacitet balancues të rritet.

“Vizioni i Qeverisë së Kosovës është të zhvillojë një sektor energjetik pa emetim të dioksidit të karbonit CO2 deri në vitin 2050”, thuhet në njërin nga paragrafët e këtij dokumenti ku edhe parashihet zbatimi gradual i taksës së karbonit, e cila kryesisht i ngarkon termocentralet e thëngjillit. Në tjetrin paragraf, strategjia flet për rivitalizimin e kapaciteteve gjeneruese me thëngjill të Kosovës A dhe B me një shumë prej 390 milionë EUR. Kush e financon këtë?”.

“Pra në vend se strategjia të propozojë zgjidhje afatgjate për këtë sektor dhe t’i japë kahje zhvillimit të Kosovës drejt energjisë së ripërtëritshme, kjo qeveri vendos të vazhdojë varësinë e furnizimit vetëm në thëngjill, pikërisht tani, në kohën kur thëngjilli po bëhet çdo ditë e më pak i pranueshëm në botë. Duhet të bëhet e qartë se termocentralet e thëngjillit nuk mund të jenë konkurruese me burimet e ripërtëritshme të energjisë nëse vendoset një taksë e karbonit”.

Ai theksoi se kjo strategji nuk trajton avancimin e skemave për konsumatorët vetëprodhues, as zhvillimin e mekanizmave për transport të qëndrueshëm, e as mënyrat se si të ecet përpara në mënyrë konkurruese me të ardhmen.

“Në vend që të decentralizohet më shumë prodhimi i energjisë dhe të përshpejtohet tranzicioni energjetik në vend, këta kanë centralizuar e karbonizuar. Në vend të së ardhmes, këta shohin të kaluarën dhe propagandojnë zgjidhje e ide koha e të cilave ka mbaruar”.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika