LDK kërkon pezullim të dyfishimit të tatimit në pronë dhe procedim të këtij ligji në Kuvend

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga Ministria e Financave pezullim të vendimit për dyfishimin e çmimit të tatimit në pronë. Ndërsa, ka thënë se kjo ministri duhet të procedojë në Kuvend sa më parë ligjin e ri për tatim në pronë, që sipas saj gjendet në "sirtarin e ministrit të Financave"

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami

Për të lehtësuar barrën e qytetarëve që janë goditur nga inflacioni i lartë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar nga Ministria e Financave që me vendim të pezullojë aplikimin e rivlerësimit të fundit të pronave në vend dhe faturat e tatimit për vitin 2023 të llogariten sipas vlerësimeve të bëra para vitit 2022.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, është shprehur e shqetësuar për dyfishimin e çmimit të tatimit në pronë, pasi sipas saj nuk janë marrë parasysh rrethanat socio-ekonomike.

Ajo ka kërkuar nga Ministria e Financave procedim në Kuvend të ligjit të ri për tatim në pronë dhe ka kërkuar shtyrjen e zbatimit të këtij ligji që ka të bëjë me prona.

Sipas Bajramit, ministria, më saktësisht departamenti i tatimit në pronë, bashkë me komunat duhet të bëjnë rishikimin e plotë të procesit të rivlerësimit të pronave.

“Është vërejtur që vlerësimi i pronave ka shumë gabime, të cilin e kanë konfirmuar edhe në shkresat zyrtare, vet Ministria e Financave drejtuar komunave të Kosovës, duke thënë që një prej mjeteve të softuerit nuk ka funksionuar dhe në fakt është injoruar komplet nën-zonimi. Kjo nënkupton që pasuri të tëra të patundshme tatohen sot me vlerësimin e ri njëjtë sikur ato që janë në rrugën kryesore, sikurse ato që janë në rrugë tretësore. Shqetësimi yni tjetër ka qenë që nuk janë marrë parasysh rrethanat socio-ekonomike dhe ne nuk e dimë që prej vitit 2018 nuk ka pasur lëvizje të pagave për sektorin publik. Lëvizjet e pagave në sektorin privat janë të kufizuara dhe nuk e adresojnë normën e inflacionit”, ka thënë ajo për KP.

Bajrami ka theksuar se shtrenjtimi i tatimit në pronë ka goditur qytetarët dhe është gjë e cila sipas saj ka ardhur në kohën kur inflacioni ka ndikuar në shportën e konsumatorëve.

“Tani duke marrë parasysh edhe inflacionin sidomos në shportën bazë të konsumatorit që e ka goditur shumë, gati që 12 muaj qytetarët. Ne kemi bërë kërkesë te Ministria e Shëndetësisë që ky rivlerëzim të pezullohet, kurse faturat që i gjeneron Ministria e Financave t’i gjenerojë me vlerësime të fundit, që nënkupton që qytetarët të paguajnë tatimin në pronë në vitin 2023 të njëjtë me atë që kanë pasur në vitin 2022. Ndërkohë që gjatë këtij viti, Ministria bashkë me komunat të bëjnë rivlerësim të saktë ku do të merren parasysh edhe nën-zonat, rivlerësimi e më pas të hyjë në fuqi në vitin 2024”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se LDK kërkon nga Ministria e Financave që të procedojë në Kuvend sa më parë ligjin e ri për tatim në pronë.

“Përveç kësaj ne kemi kërkuar që të sillet sa më shpejt ligji i cili nga tani është finalizuar dhe qëndron në sirtarin e ministrit të Financave”, ka deklaruar Bajrami.

Ndryshe, ministri i Financave, Hekuran murati, ditë më parë u ka propozuar komunave që të gjithë tatimpaguesve t’u falën deri në 100 euro nga vlera e tatimit në pronë për këtë vit. E për këtë, deputetja Bajrami u shpreh se nuk mund të ndodhë, sepse sipas saj komunat nuk kanë të drejtë të falin tatime.

 

Shija e redaktorit

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshon urdhër-arrest për Putinin

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) ka lëshuar një urdhër-arrest për presidentin rus, Vladimir Putin. GjNP-ja pretendon se ai është përgjegjës për krimet e luftës, duke përfshirë...

Libraria “Dukagjini” në listën e ngushtë për çmimin prestigjioz të...

Libraria “Dukagjini” është futur në listën e ngushtë të të nominuarve për Çmimin Ndërkombëtar të Përsosmërisë, në kuadër të Panairit të Librit në Londër....

Lul Raka, shpalos kujtime në “Radar” për kohën e Pandemisë

Sot më 13 mars 2023, janë bërë tri vjet që kur pandemia COVID-19, preku Kosovën. Rasti i parë me koronavirus në botë mendohet të...

Të fundit nga rubrika