LDK nuk pranon propozimin e Muratit për falje të 100 eurove: Amatorizëm politik e shenjë e paaftësisë së tij
Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) ka kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, e udhëhequr aktualisht nga ministri Hekuran Murati, që të pezullojë aplikimin e rivlerësimit të fondit të patundshmërive dhe faturat e vitit 2023 të llogariten sipas vlerësimeve të vitit 2022. Në një konferencë për media, deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami, ka thënë […]
Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) ka kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, e udhëhequr aktualisht nga ministri Hekuran Murati, që të pezullojë aplikimin e rivlerësimit të fondit të patundshmërive dhe faturat e vitit 2023 të llogariten sipas vlerësimeve të vitit 2022.
Në një konferencë për media, deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami, ka thënë se problemi qëndron te mosmarrja parasysh e rritjes së çmimeve nga ana e Ministrisë së Financave.
“Problemi është se kjo Ministri në vlerësimin e fundit të pronave nuk ka marrë parasysh normën e lartë të inflacionit dhe rrethanat socio-ekonomike në vend. Aktualisht, Kosova është duke përjetuar një krizë ekonomike ku qytetarëve u janë rritur vetëm çmimet, nuk ka lëvizje të pagave, nuk ka lëvizje të pensioneve, nuk ka lëvizje të të hyrave. Dhe veprimi i rritjes së bazës tatimore është papërgjegjësi, është arrogancë nga ana e kësaj Qeverie, e cila tashmë po shihet çdo ditë se i ka braktisur qytetarët’, ka deklaruar ajo.
Bajrami e ka quajtur propozimi e ministrit Hekuran Murati si një amatorizëm politik dhe jo vetëm.
“Propozimi i Ministrit Murati është amatorizëm politik dhe shenjë e qartë e paaftësisë së tij. Ai nuk e ka idenë se si fuksionon ekonomia dhe nuk i njeh ligjet, të cilat janë në kompetencë të zbatimit të dikasterit të tij. Ai nuk e di që kuvendet komunale nuk falin borxhe e as tatime. Kuvendet komunale kanë të drejtë ta falin një tatim i cili derivon nga një ligj, i cili është i aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Bajrami.
Të premten e 27 janarit, Ministri i Financave, Hekuran Murati, në Komisionin Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka theksuar sërish se Qeveria është e gatshme që në kuadër të ligjit të ri në të cilin po punojnë, të trajtojnë edhe faturat e tatimit në pronë për vitin aktual.
Ministri Murati ka sugjeruar që komunat të japin nga 100 euro për secilin tatimpagues për pronë këtë vit.
E kjo kërkesë e tij ka shkaktuar polemika të shumta me deputetë të opozitës, të cilët i thanë se nuk është propozim serioz e të njëjtin e kanë konsideruar si “pazar”.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar qytetarët se tatimi në pronë është tatim i cili mblidhet nga komunat dhe përbën njërin nga burimet kryesore të të hyrave vetanake për komunat. Krahas kësaj, e njëjta kishte bërë të ditur se nga ky vit, të gjitha tokat rezidenciale, komerciale, industriale dhe pyjore tatimohen me 100% të vlerës së vlerësuar.















