LDK paralajmëron kushtetuesen për shkeljet nga Vetëvendosje, Zogaj: Kërkojmë kthim në rendin e ditës dhe konstituim të Kuvendit
Alban Zogaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pas dështimit të 41-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, para mediave ka thënë se edhe sot ishte një seancë e re dhe një shkelje e re e Kushtetutës. “Edhe sot një seancë e re, një episod i ri, por edhe një shkelje e Kushtetutës […]
Alban Zogaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pas dështimit të 41-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, para mediave ka thënë se edhe sot ishte një seancë e re dhe një shkelje e re e Kushtetutës.
“Edhe sot një seancë e re, një episod i ri, por edhe një shkelje e Kushtetutës dhe rendit kushtetues në vendin tonë. Jemi tejet të shqetësuar dhe të brengosur me atë çfarë po ndodh në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.
Ai tutje ka thënë se në seancat e fundit, Kushtetuta e vendit është duke u shkelur.
“Me vetëdije është duke u shkelur çdo ditë dhe kësisoj ne po hyjmë në një krizë edhe më të thellë kushtetuese. Kërkojmë nga partia më e madhe, partia fituese e zgjedhjeve, me u kthyer në rendin e ditës, me respektuar Kushtetutën e vendit dhe me vazhduar tutje me konstituimin e Kuvendit”, është shprehur Zogaj.
“Çdo dalje nga rendi i ditës është shkelje e Kushtetutës dhe normalisht që ne do të reagojmë ndaj këtyre shkeljeve të fundit që po ndodhin”, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe për mundësinë e dërgimit të një lënde në Gjykatën Kushtetuese për shkeljet që LDK pretendon se po ndodhin nga Kurti dhe Vetëvendosje.
“Jemi në përgatitje të lëndës për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, por normalisht që jemi edhe në koordinim dhe bashkëpunim, edhe në bashkëbisedime që të shohim se si do t’i qasemi, por gjithsesi që do t’i qasemi Gjykatës Kushtetuese me pyetjen dhe me adresimin që edhe aktgjykimi i fundit, por edhe Kushtetuta e vendit janë duke u shkelur në seancat e fundit që po i shohim”, ka thënë ai duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.















