LDK pas vendimit të PZAP-së: Nuk do ta tolerojmë VV-në, do të padisim për shpifje
Lidhja Demokratike e Kosovës ka mirëpritur vendimin e PZAP-së që konfirmon se “pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje për manipulim dhe delegjitimim të procesit zgjedhor ishin të pabazuara”. LDK-ja shprehet se këto akuza ishin thjesht një tentativë për të mbrojtur organizimin e vetëm partiak të manipulimit të votës së mërgatës. Në reagimin e saj, LDK thekson se […]
Lidhja Demokratike e Kosovës ka mirëpritur vendimin e PZAP-së që konfirmon se “pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje për manipulim dhe delegjitimim të procesit zgjedhor ishin të pabazuara”.
LDK-ja shprehet se këto akuza ishin thjesht një tentativë për të mbrojtur organizimin e vetëm partiak të manipulimit të votës së mërgatës.
Në reagimin e saj, LDK thekson se do të vazhdojë të mbrojë integritetin e zgjedhjeve dhe vullnetin e qytetarëve, duke përdorur të gjitha rrugët ligjore për të paditur ata që përhapin dezinformatat dhe përpiqen të ndikojnë në mënyrë të paligjshme në rezultatet zgjedhore.
“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të tolerojë që Vetëvendosje të vazhdojë të përdorë shpifjet dhe manipulimet për të përmbysur vullnetin e qytetarëve dhe për të krijuar një realitet të rremë zgjedhor. Të gjithë ata që përhapin dezinformata me qëllim të cenimit të integritetit të zgjedhjeve dhe të institucioneve të pavarura do të mbajnë përgjegjësi ligjore. LDK do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të paditur për shpifje të gjithë ata që përpiqen të ndikojnë në mënyrë të paligjshme dhe antidemokratike në rezultatet zgjedhore”, thuhet në reagimin e partisë.
“Përpjekjet e Vetëvendosjes për të uzurpuar procesin zgjedhor me manipulime, shpifje dhe dezifnormata do të sfidohen me vendosmëri. Demokracia nuk mund të jetë peng i një partie që nuk e pranon vullnetin e lirë të qytetarëve”, thuhet tuje në reagim.
Po ashtu, LDK-ja ka falënderuar mërgatën për besimin dhe mbështetjen e saj, duke theksuar angazhimin për një Kosovë të zhvilluar dhe të integruar në institucionet euro-atlantike.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shpalljen e rezultateve përfundimtare. Konkretisht, ka refuzuar ankesën për anulim të votave me postë dhe atë për rinumërim të atyre në Skenderaj.















