LDK për Asociacionin: Të trajtohet në përputhshmëri me Kushtetutën
Lidhja Demokratike e Kosovës është ftuar nga ambasadori i SHBA-së që të marrë pjesë në takimin e së martës, në të cilin, do të diskutohet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kështu ka bërë të ditur LDK, përmes një komunikate për media, ku thuhet se në këtë takim do të konfirmojë edhe një […]
Lidhja Demokratike e Kosovës është ftuar nga ambasadori i SHBA-së që të marrë pjesë në takimin e së martës, në të cilin, do të diskutohet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kështu ka bërë të ditur LDK, përmes një komunikate për media, ku thuhet se në këtë takim do të konfirmojë edhe një herë mbështetjen për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, me përfshirjen e plotë të SHBA-së.
LDK-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës “që të mos fshihet prapa akuzave populiste ndaj opozitës, por t’i ushtrojë përgjegjësitë e saja si shumicë dhe ta trajtojë këtë çështje në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe në koordinim të ngushtë me aleatët tanë”.
Sipas kësaj partie opozitare, orientimet e LDK-së për një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme dhe me njohjen reciproke në thelb të saj, mbesin të pandryshueshme.
“Në lidhje me Asociacionin, LDK-ja vlerëson se kjo çështje është kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese vetëm e institucioneve të Republikës së Kosovës, në radhë të parë e Qeverisë. Kompetencat dhe përgjegjësitë kushtetuese nuk kanë alternativë, prandaj LDK-ja, në rolin e saj opozitar, s’ka se si t’i ushtrojë ato. Opozita nuk mund t’i marrë përgjegjësitë e shumicës dhe as të Qeverisë së kësaj shumice. Prandaj pjesëmarrja e institucioneve shtetërore në këtë proces është domosdoshmëri e pazëvendësueshme”, thuhet në njoftim.















