“LDK qëndron në opozitë”, Abdixhiku: Marrja e pushtetit me çdo kusht s’është qëllim
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se partia e tij do të mbetet në opozitë, duke respektuar rezultatin e zgjedhjeve dhe vullnetin e qytetarëve. Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka theksuar se qëndrimet e LDK-së mbeten të pandryshuara dhe se vendimet për hapat e ardhshëm do të merren brenda […]
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se partia e tij do të mbetet në opozitë, duke respektuar rezultatin e zgjedhjeve dhe vullnetin e qytetarëve.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka theksuar se qëndrimet e LDK-së mbeten të pandryshuara dhe se vendimet për hapat e ardhshëm do të merren brenda partisë.
Ai rikujtoi deklaratën e tij pas përfundimit të procesit të votimit më 9 shkurt, kur ka deklaruar se nëse populli ka vendosur që LDK-në ta mbajë në opozitë atëherë do të qëndrojnë aty.
Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve nuk përbën një ndryshim për Kosovën, pasi votuesit kanë shprehur një tjetër preferencë politike.
“I respektojmë këto preferenca sepse nuk di ndryshe! Qëndrimet e mia dhe të LDK-së paraelektorale mbeten zotime të sotme. Le të mësohemi me një politikë ku mbajtja e fjalëve është standard bazik dhe ku marrja e pushtetit me çdo kusht nuk është qëllim”, ka shkruar ai.
Abdixhiku kritikoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për vonesat në numërimin e votave, duke e cilësuar këtë si një dështim të institucionit.
“Kemi një KQZ që as edhe një gjë bazike për të cilën kishte kohë plot 4 vjet të përgatitej – si numërimi i votave – nuk arrin ta bëjë. Kthehuni në metodë klasike aman! Numërim është ky!”, ka shkruar tutje ai.
Ai shprehu bindjen se në fund LDK-ja do të ketë 180 mijë vota, duke e cilësuar këtë si një rezultat të kënaqshëm pas rënies historike të partisë.















