Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ndaj kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje drejtuar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për anulimin e afro 19 mijë votave të diasporës në favor të LDK-së, si dhe rivotimin e procesit të votimit me postë.

Në reagimin e saj, LDK e ka cilësuar këtë veprim të VV-së si një përpjekje për të ndryshuar rezultatin zgjedhor të 9 shkurtit, duke e quajtur atë “një akt të rrezikshëm ndaj integritetit demokratik të procesit zgjedhor.”

LVV-ja si pranon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, ankohet në PZAP

“Vetëvendosje kërkon anulimin e votave me postë të mërgatës sonë për LDK-në, vetëm pse nuk u pëlqen rezultati. Kjo përpjekje për të cenuar vullnetin e lirë të votuesve tanë në mërgatë përbën një akt të rrezikshëm ndaj integritetit demokratik të procesit zgjedhor.

Pikërisht përfaqësuesit politikë të kësaj partie, të emëruar nëpër ambasada dhe konsullata, janë ata që kanë ndërhyrë dhe manipuluar votat e diasporës në zyra e korridore. Mbi 1.600 fletëvotime të kësaj partie, të printuara me të njëjtat gabime teknike, dëshmojnë qartë një manipulim të organizuar. Për më tepër, ka prova të shumta mbi vetë-inkriminimin publik të aktivistëve të Vetëvendosjes në mbushjen masive të fletëvotimeve të mërgatës. Nëse duhet të shqyrtohet anulimi i ndonjë vote për shkak të parregullsive, pikërisht këto raste duhet të jenë objekt i një hetimi të plotë dhe të paanshëm”, thuhet në reagimin e LDK-së.

LDK gjithashtu e ka quajtur hipokrite kërkesën e VV-së për anulimin e votave të mërgatës, duke kujtuar se në vitin 2019 kjo parti kishte kërkuar pranimin e mbi 4.000 zarfeve me vota të ardhura nga Serbia.

LDK ka theksuar se Vetëvendosje po kërkon anulimin vetëm të votave të diasporës që i përkasin LDK-së dhe se synon të ndalojë kandidimin e Hysen Çekajt, djalit të heroit Sali Çekaj.

“Është paradoksale dhe thellësisht hipokrite që kjo kërkesë për anulimin e votave të mërgatës të vijë pikërisht nga Vetëvendosje, një subjekt politik që në zgjedhjet e vitit 2019 pati mbrojtur mbi 4.000 zarfe të ardhura nga “mërgata” serbe, duke kërkuar në Gjykatën Supreme që ato vota të pranoheshin si të rregullta.

E njëjta parti sot kërkon anulimin e votave të diasporës shqiptare – natyrisht, vetëm atyre që janë në favor të LDK-së – dhe, njëkohësisht, synon të ndalojë kandidimin për deputet të z. Hysen Çekaj, djalit të heroit të kombit, Sali Çekaj.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet demokratike për të mbrojtur integritetin e votës së saj, brenda dhe jashtë vendit. Nuk do të lejojmë që vullneti politik dhe demokratik i mërgatës sonë të cenohet sa herë që rezultati zgjedhor nuk përputhet me interesat e Vetëvendosjes”, thuhet më tej në reagim.