Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar zyrtarisht emrat e kandidatëve të këtij subjekti politik për disa nga komunat kryesore në zgjedhjet lokale që priten të mbahen.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së partisë, Abdixhiku ka thënë se procesi konsultativ me strukturat lokale ka nisur prej kohësh dhe është zhvilluar në një atmosferë bashkëpunuese dhe me vullnet të lartë.

Sipas tij, me unanimitet të plotë, janë zyrtarizuar kandidaturat për disa komuna kyçe.

“Kemi nisur procesin konsultativ tash e sa kohë, në një frymë të vullnetit të madh. Në këtë mbledhje, me unanimitet të plotë, u zyrtarizuan këto kandidatura: për Prishtinë – Përparim Rama, për Lipjan – Imri Ahmeti, për Obiliq – Xhafer Gashi. Po ashtu, janë zyrtarizuar edhe 990 kandidatë për asamble në 32 komuna ku merr pjesë LDK-ja. Jemi në një frymë të shkëlqyeshme”, ka thënë Abdixhiku.