Flutura Kusari, nga Forumi për integritet të informacionit, ka thënë se Projektligji për KPM-në është tejet shqetësues dhe se duhet të përmirësohet në shumë aspekte.

Përvec licencimit të mediave online që përmbajnë audio dhe video ajo tha se janë dy aspekte edhe më shqetësuese që i ka brenda ky projektligj.

“Partite politike dhe bashkesite fetare do te lejohen te hapin televizione dhe radio. Ligji per KPM-ne qe eshte ne fuqi nuk i lejon partite politike dhe bashkesite fetare te hapin televizone dhe radio. Projektligji per KPM-ne i lejon partite politike dhe bashkesite fetare te hapin televizione. Prandaj, ligji do te lejoje qe ne ne te ardhmen te kemi TVV, TVPDK, TVLDK, TVAAK etj. A ka nevoje me i elaboru problemet qe do te dalin kjo? Grate me nuk kane garancione te behen anetare te KPM-se”, ka shkruar ajo.

“Ligji për KPM qe është ne fuqi e detyron Kuvendin qe te zgjedhe te paktën dy gra si anëtare te Komisionit. Besoni ose jo, projektligji për KPM-ne e ka heke atë nen dhe ne praktike i bie qe Komisioni i ardhshëm mund te përbehet nga te gjithë burra”, ka vijuar tutje ajo.

Ajo u ka bërë thirrje partive opozitare për të reaguar ndaj Projektligjit për KPM-në, i cili siç ka thënë ajo, lejon kapjen e mediave.

Ajo ka thënë se përgjegjësia për të trajtuar çështjet ligjore nuk është vetëm për shoqërinë civile.

“Nëse deputetet na i hapin dyert për bashkëpunim, mundemi me bo një projektligj te mire. Ndërkohë e kom një pyetje: alo opozita, a po dëgjohemi? Qysh more pretojnë një projektligj me analizu, a po presin shoqnia civile me bo opozitën a? Nuk është roli i shoqnise civile me kry punën e opozitës”, ka shkruar Kusari në Facebook.

Miratohet në lexim të parë projektligji për KPM-në

Projektligj i dorëzuar më 27 janar të vitit 2023 parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio dhe videomateriale.

Neni 4 saktëson se për të shpërndarë video, platformat për shpërndarje të videove dhe mediat online duhet t’i nënshtrohen aplikimit për regjistrim respektivisht licencimit në KPM, proces ky që kërkon një certifikatë biznesi në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) dhe vërtetime nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Mediat online deri më tani funksiononin si biznese pa nevojë për regjistrim pranë KPM-së, ndërsa dëshmonin zotimin për etikë, duke qenë anëtarë të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK).