Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është shprehur e shqetësuar në lidhje me mënyrën se si po trajtohet puna në Kuvendin e Kosovës nga partitë e pozitës.

Pal Lekaj nga AAK, në një konferencë për media, tha se Lëvizja Vetëvendosje me bojkotin që po ia bën seancave të Kuvendit, po e shemb gurthemelin e shtetit.

Sipas tij, me këto veprime po i cenohen të drejtat partive opozitare.

“Në praktikat parlamentare nuk ka ndodhur që shumica të bojkotojë seancat parlamentare, e sidomos edhe komisionet. Po na marrin të vetmen të drejtë tonën demokratike që me pyetje parlamentare, me formimin e komisioneve, në komisionet e përhershme të shfaqim kërkesat e qytetarëve të Kosovës. Pushteti duhet të jetë konstruktiv dhe jo të na bojkotojë, sepse po e shemb gurthemelin e shtetit demokratik. Jemi të shqetësuar, kërkojmë zgjidhje, të dominojë arsyeja e interesit të qytetarëve, jo interesi i VV-së”, tha ai.

Lekaj tha se partia e tij i ka përkrahur vazhdimisht marrëveshjet ndërkombëtare dhe se partia në pushtet nuk ka pse ta akuzojë AAK-në për këtë gjë.

“I kemi përkrahur fuqishëm marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligjet bazike që kanë shkuar në favor të qytetarëve. Po i numëroj: Marrëveshjen ndërkombëtare me vlerë prej 830 milionë euro, vlen të theksohet i kemi përkrahur edhe ligjet bazike të obligueshme për parlamentin. E kemi përkrahur edhe marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit dhe qëndrimet e Qeverisë që kanë shkuar në favor të sovranitetit, pa hezitim pa kalkuluar. Kjo qeveri të gjitha vendimet që po i merr janë si vendime elektorale. Janë të pabaza deklaratat të mosvotimit tonë të marrëveshjeve ndërkombëtare”, tha ai.

Kryeministri e ka prurë vendin të kemi sanksione me vlerë 330 milionë euro. Marrëveshjet ndërkombëtare kanë vlerë 100 milionë euro.