Lëshohen në hapësirë satelitët Albania 1 dhe 2, Rama publikon pamjet
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur se dy satelitët Albania 1 dhe Albania 2 janë lëshuar në orbitë, pikërisht të martën, në ditën e 3 të vitit 2023. Lajmin e konfirmoi edhe Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor i cili njoftoi nisjen e dy satelitëve. Përmes një postimi në Facebook, Rama ka publikuar […]
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur se dy satelitët Albania 1 dhe Albania 2 janë lëshuar në orbitë, pikërisht të martën, në ditën e 3 të vitit 2023.
Lajmin e konfirmoi edhe Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor i cili njoftoi nisjen e dy satelitëve.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka publikuar pamje të lëshimit të këtyre satelitëve, duke theksuar se satelitët Albania 1 dhe Albania 2 u lëshuan nga Stacioni i Forcave Hapësinore Cape Canaveral në Florida nëpërmjet raketës Falcon 9, të misionit Transporter-6, nga Space Launch Complex.
“Nga sot Shqipëria ka më shumë aftësi të teknologjisë së lartë për të kontrolluar, mbrojtur e administruar territorin, duke siguruar në kohë reale të dhëna të rëndësishme në një sërë aspektesh kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm”, ka shkruar Rama.
Kontrata e Shërbimit Satelitor u nënshkrua në fund të muajit Shtator të vitit 2022.
Kjo kontratë konsiston në përdorimin ekskluziv të dy satelitëve, për monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, zhvillimin e kapaciteteve teknike e profesionale për përdorimin e shërbimit satelitor, përpunimin e Informacionit Gjeohapësinor (GIS), si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj.
Kohëzgjatja e përdorimit të satelitëve do të jetë për një periudhë 3-vjeçare dhe ato do t’i kushtojnë buxhetit të shteti 6 milionë dollarë .
Kryeministri Edi Rama, më herët lëshimin e dy satelitëve në hapësirë e ka cilësuar si një epokë tjetër në funksion të zbatimit të ligjit, dhe në funksion të luftës kundër korrupsionit.















