Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka lëshuar urdhërarrest ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 serbëve të tjerë, të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare në Gjakovë gjatë viteve 1998-1999.
Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar Ilir Morina, shef i Departamentit për Krime Lufte në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).
Vendimi për lëshimin e urdhërarrestit është marrë më 15 prill 2025, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të datës 27 mars 2025.
Sipas vendimit, të dyshuarit akuzohen se në periudhën 7-10 maj 1999, në zonën e njohur si “Ura e Taliqit” në Gjakovë, si pjesëtarë të forcave ushtarake dhe policore serbe, kanë hyrë shtëpi për shtëpi, duke nxjerrë me forcë civilët shqiptarë.
Ata dyshohet se i kanë ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe më pas kanë ekzekutuar 106 civilë shqiptarë. Trupat e viktimave janë gjetur pas luftës në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se Prokuroria Speciale më 18 mars 2025 ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve, ndërsa urdhërarresti bazohet në dyshime të arsyeshme për kryerjen e veprës penale të krimeve të luftës kundër popullsisë civile, të paraparë fillimisht me nenin 142 të Kodit Penal të ish-Jugosllavisë dhe tani të sanksionuar me nenin 146 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në mesin e personave ndaj të cilëve është lëshuar urdhërarrest figurojnë edhe emra si Milovan Kovaçeviq, Radomir Colić, Milos Đosan, Predrag Ristić, Srdan Krstić dhe të tjerë.