Përshëndetje të nderuar deputetë të zgjedhur të Republikës së Kosovës,

Ju jeni mandatuar nga shumica dërrmuese e popullit të Kosovës dhe diasporës. Procesi i votimit i zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 u cilësua gjerësisht si tejet transparent dhe i ndershëm nga shumë vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë. Me këtë besim, qytetarët ju dhanë zërin dhe shpresën e tyre.

Një Ngërç i Pafalshëm dhe Pa Rezultat

Mirëpo, çfarë ka ndodhur që atëherë? Asgjë. Absolutisht asgjë. Vetëm një varg i pafund i takimeve parlamentare, të cilat nuk kanë prodhuar asnjë rezultat konkret. Njëqind e njëzet individë të arsimuar, me shumë vite përvojë, kanë dështuar të bien dakord qoftë edhe për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, e lëre më për formimin e qeverisë së re.

Deri më sot, numri i seancave parlamentare ka arritur në afro 50. Pas çdo takimi, përfaqësues të partive lëshojnë deklarata të shumta, duke u përpjekur t’i hedhin fajin tjetrit. Narrativa e vazhdueshme është: “Ne jemi partia e ‘mirë’ dhe e ‘ndershme’, ndërsa fajtorë janë të tjerët.” Ky diskurs është turpërues për ju dhe për institucionin që përfaqësoni.

Status Quo: Një Kohë e Humbur me Qëllim?

Nuk ka asnjë shpresë, asnjë dritë në fund të tunelit për këtë “lojë tenisi” politik. Ndërkohë, të gjithë ju dukeni “të lumtur” me këtë situatë. Partia qeverisëse gjen lehtësi në qeverisjen pa një parlament që ta “bezdisë”, ndërsa partitë opozitare janë të zhytura në çështjet dhe problemet e tyre të brendshme. Kështu, zgjidhja më optimale për secilin prej jush duket të jetë vazhdimi i kësaj Status Quo-je të dëmshme.

Por, deri kur do të vazhdojë kjo? Çfarë ndodh me votuesit dhe popullin e Kosovës? A është kjo vërtet në interesin e tyre më të mirë? Po ekonomia jonë e lënë pasdore, mungesa e tërheqjes së investimeve të huaja, shtrenjtimi i energjisë elektrike, emigracioni i vazhdueshëm i të rinjve, paqëndrueshmëria politike, gjendja e sigurisë, dhe shumë e shumë çështje të tjera jetike? Kush do të mbajë përgjegjësi për këto probleme? JU, të dashur deputetë të zgjedhur, secili prej jush mban një pjesë të fajit.

Përgjegjësia Morale dhe Financiare

Po për të ardhmen e fëmijëve tanë, kush do të mbajë përgjegjësi? Kush do t’u thotë atyre familjeve të detyruara për arsye ekonomike të largohen nga vendi, se ne “humbëm” gjysmë viti duke u grindur për çështje pa kuptim, ndërkohë që “faji” është i dikujt tjetër?

Kjo është një lojë me fatin e një populli që ka kaluar sakrifica të panumërta dhe nuk meriton këtë fatkeqësi.

Pse, deri më tani, asnjëri prej jush, deputetë të zgjedhur, nuk ka deklaruar publikisht se ka marrë paga të pamerituara për pesë ose më shumë muaj? Pse asnjëri prej jush, 120 deputetëve të zgjedhur, nuk e ka bërë gjestin fisnik për t’i dhuruar ato para një organizate bamirëse? Kjo mungesë e ndërgjegjes është thellësisht shqetësuese.

Shikoni fëmijët tuaj në sy dhe ndërgjegjja juaj të ju brejë për dëmin që po i shkaktoni vendit, popullit dhe të ardhmes sonë.

Një Paralajmërim për të Ardhmen

Të nderuar liderë politikë, me çfarë vlerash morale do të guxoni të trokisni në dyert tona në të ardhmen dhe të na kërkoni votën për JU dhe Partinë Tuaj?

Veproni para se të bëhet tepër vonë, përndryshe historia dhe e ardhmja do t’ju gjykojnë ashpër!