As letra e fundit nga kryediplomat i BE-së, Josep Borrell nuk ia ka ndërruar qëndrimin kryeministrit Albin Kurti për situatën në veri.

Në shkresën e tij zyrtare, përfaqësuesi i lartë i BE-së i ripërsëriti kërkesat e ndërkombëtarëve, të cilat janë në kundërshtim me ato të Kurtit.

Mirëpo, megjithatë shefi i Ekzekutivit insiston në pesë hapat që të hënën ia ka propozuar Borellit.

Pjesë e letrës së Borellit ishte edhe një kërkesë e re, ajo që çdo veprim i Kosovës për sundimin e ligjit në veri, të diskutohet paraprakisht me EULEX-in dhe KFOR-in.

Asaj, Kurti iu përgjigj në konferencën e së enjtes.

“Ka arrestime që unë i shoh saktësisht në të njëjtën kohë si ju, sepse jemi republikë demokratike. I tillë ka qenë arrestimi i Llunës. Mirëpo, veprimet operacionale, kur duhet të arrestohet dikush nuk janë punë e imja, besoj e asnjë zyrtari evropian”, ka deklaruar ai.

Për këto qëndrime të Kurtit, televizioni Dukagjini ka kërkuar një qëndrim me shkrim nga Bashkimi Evropian, por nuk ka marrë përgjigje.

Specifikisht për to nuk foli zëdhënësi i BE-së, Peter Stano as në konferencën e sotme për media.

Por, ai rikujtoi pasojat nëse tensionet nuk ulen dhe obligimin që palët kanë për zbatimin e marrëveshjes bazë.

“Ka një lidhje të qartë mes zbatimit të aneksit dhe rrugëtimit evropian. Nëse deklaratat e palëve se a e pranojnë apo jo marrëveshjen do të pasohen me veprime kjo do të reflektohet në procesin e integrimit të tyre integrimeve në BE. Nëse nuk jemi në gjendje të dalim nga ky rreth i tensioneve, atëherë pasojat do të jenë për të dyja palët”, ka deklaruar Stano.

Në këtë situatë të raporteve me ndërkombëtarët, njohësi i çështjeve politike Artan Muhaxhiri, pret thellim të hendekut dhe ashpërsim të masave ndaj Kosovës deri në izolim.

“Bashkësia ndërkombëtare ia ka bërë të qartë kryeministrit Kurti se ai është presoni i cili duhet t’i ndërmarrë hapat për deeskalim. Pra, përgjegjësia është te ai dhe nuk mund tani me kundërkërkesa ta vazhdojë këtë lojë të pingpongut”, ka deklaruar Muhaxhiri.

Që nga fundi i majit, serbët përmes protestave po kundërshtojnë nisjen e punës së kryetarëve shqiptarë në tri komunat e banuara me shumicë serbe në veri.