Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ditë më parë i është drejtuar me një letër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, përmes së cilës ka kërkuar ndihmën e SHBA-së për t’u anëtarësuar në NATO.
Letra e Osmanit, drejtuar presidentit amerikan Biden ka marrë vëmendjen edhe të mediave të rëndësishme ndërkombëtare.
Të enjten disa prej mediave më të njohura ndërkombëtare i kanë kushtuar nga një artikull të veçantë letrës së presidentes Osmani dërguar presidentit Biden.
Agjencia e lajmeve, Reuters në artikullin e publikuar për kërkesën e Osmanit, gjithashtu, ka shkruar se Serbia dhe aleati i saj Rusia nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe vazhdojnë ta bllokojnë anëtarësimin e saj në NATO.
“Kosova është ruajtur nga trupat e NATO-s që nga viti 1999, kur NATO iu drejtua bombardimeve për të ndalur vrasjen e shqiptarëve nga forcat serbe në një luftë kundër kryengritjes 1998-99”, ka raportuar Reuters.
Në letrën e dërguar, Osmani ka shkruar se, Kosova, aktualisht, është një faktor kyç në promovimin e stabilitetit rajonal. Ka përmendur edhe arritjet e shtetit në respektimin e demokracisë, duke thënë se, Kosova, si vend i dalë nga lufta, shërben edhe si shembull në këtë drejtim për skenën ndërkombëtare.
Osmani i ka thënë Biden-it se rrethanat e reja të krijuara në Evropë pas sulmit rus në Ukrainë kanë prodhuar edhe urgjencën e Kosovës për të hyrë në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Presidentja e Kosovës ka shtuar se, jemi optimistë në mbështetjen e aleatit tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë përpjekje vendimtare.
Kërkesa për anëtarësimin e Kosovës në NATO, e cila është shprehur edhe përmes kësaj letre të Presidentes Osmani, ka ardhur si pasojë e situatës dhe tensioneve Rusi-Ukrainë, ku të premten shënohet dita e 23-të e invazionit rus ndaj Ukrainës.