Kur ora 19:00 afrohet, selia qendrore e Lëvizjes Vetëvendosje në ditën e zgjedhjeve bëhet destinacioni i anëtarëve të kësaj partie.
Por, festa në këtë parti nuk nisi herët, siç ndodhi në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Para selisë së Vetëvendosjes asnjë lëvizje nuk u pa, derisa tubimi në fund u vendos të mabhet për në orën 23:00 pranë objektit të qeverisë.
Megjithëkëtë, qytetarët që erdhën për të festuar, iu desh të prisnin meqë kreu i LVV-së, Albin Kurti u vonua deri afër mesnatës.
Ani se u kthye mbrapa afërsisht te rezultati i shkurtit të 2025-s, Kurti shpalli fitore e tha se është i hapur për bashkëpunim.
“Javët në vijim do të komunikojmë, do t’i takojmë, do të bashkëpunojmë me të gjitha partitë sepse para së gjithash e mbi të gjitha interesin publik, vullnetin dhe Republikën sovrane të cilit i shërbejmë me devotshmëri. Llogaritni në ne jo vetëm në punën që bëjmë, por edhe në bashkëpunimin që do të bëjmë”, ka thënë Albin Kurti – Kryetar i LVV-së.
Kurti ishte më i matur në fjalim të tij duke ofruar bashkëpunim, por jo edhe partitë që janë me të në koalicion e që nuk lanë pa thumbuar e kritikuar opozitën.
“Është fitorja më e rëndësishme që kemi arritur deri tash në një atmosferë kur të gjithë të tjerët të bërë bashkë kundër nesh ne arritëm një fitore bindëse e cila na mundëson të punojnë edhe më shumë edhe më fortë”, ka thënë Donika Gërvalla – Kryetare e GUXO.
“Ata duhet me i pytë ku ju kanë shku 50 mijë vota që i kanë hup e dyta e treta dul tha e kemi pas rritjen më të madhe në këto zgjedhje, paj 6 mijë vota janë më pak se në dhjetor edhe e katërta bile e katërta drejtuesi i të katërtës e ka fituar në komunën e vet vec 1 të katërtën e votës e ajo komunë është Gjakova”, ka thënë Mimoza Kusari – Lila – Kryetare e Alternativa.
Qytetarët që iu bashkuan festës, megjithatë kanë një shpresë – që të zgjidhet shpejt kriza e që vendi të evitojë një palë zgjedhje tjera.
“Presim që të funksionojë shteti si shtet duhet me u bë krejt bashkë e me punu e jo me shku në zgjedhje apet besoj që do e bëjnë një kompromis dhe do shkojë shteti i Kosovë përpara”, ka thënë Mustafë Reqica – Qytetar.
“Unë kam ardhur nga Amerika veç për me votu edhe e kam prit më të mirën kam prit numër më të madh por sidoqoftë edhe ky është numër i mirë se e kem të paarsyeshme opozitën”, ka thënë Veli Morina- Qytetar.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka marr 42,91% të votave ose 48 deputetë, 9 më pak se në mandatin e fundit.
Në këtë rezultat nuk janë të përfshira votat në përfaqësi diplomatike, me postë dhe me kusht.