7 nga 110 kandidatët për deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë aktakuza aktive për vepra penale.
Shumica prej tyre janë për akuzat e vjetra, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend para 10 vitesh.
Ish-kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, e ish-ministrat Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla, Arbërie Nagavci e ish-deputetët Fitore Pacolli e Salih Zyba, janë duke u përballur ende me akuzat për hedhje të gazit lotsjellës.
Në këtë listë të kandidatëve për deputet është edhe Rozeta Hajdari, e cila në qeverinë Kurti ka mbajtur pozitën e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, e që nesër do të dalë para gjykatës në seancën fillestare për akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rezervat shtetërore.
Bashkë me të, të akuzuar janë edhe dy zyrtarë të ministrisë Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, e biznesmeni Ridvan Muharremi.
Dy kandidatë për synojnë ulësen e deputetit, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë aktakuza aktive, të dy për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Pal Lekaj sa ishte në krye të Ministrisë së Infrastrukturës, akuzohet për aferën e quajtur “53 milionëshi”, për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.
Lekaj ishte dënuar nga shkalla e parë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, me 3 vjet e 8 muaj burgim efektiv, por Apeli e ka kthyer në rigjykim, e seancat janë duke vazhduar ende.
Me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare, se kishte punësuar në baza partiake në kompaninë “Eko Regjioni” në Prizren, është duke u përballur edhe Besnik Krasniqi kandidat për deputet nga kjo parti.
Edhe dy ish-ministrat e NISMA-s, janë pjesë e listës për kandidat për deputet në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Endrit Shala e Vesel Krasniqi akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa kishin qenë në krye të Ministrisë se Industrisë e Tregtisë, në periudha të ndryshme, me anë të një udhëzimi administrativ të kundërligjshëm i janë hequr kompetencat Doganës për të bërë vlerësimin e cilësisë së naftës që futej në Kosovë, dhe duke ia kaluar kompetencat operatorëve privat.
Listës së Partisë Demokratike Turke të Kosovë, me numrin një i prin Fikrim Damka, i cili ishte edhe pjesë e kabinetit qeveritar, në pozitë e ministrit të Zhvillimit Rajonal.
Damka aktualisht është duke u përballur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare së bashku me ish-ushtruesin e detyrës së sekretarit në MZHR, Besim Kamberaj.
Damka dhe Kamberaj, akuzohen nga PSRK-ja se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë prej rreth 1 milion eurosh, duke tejkaluar kompetencat e tyre ligjore, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy organizata joqeveritare gjatë 2021 dhe 2022.
Megjithatë në listat e kandidatëve për legjislaturën e dhjetë të Kuvendit, ka edhe persona të dënuar nga Gjykata Themelore, siç janë kandidati i PDK-së, Shkumbin Demaliaj e Çelë Gashi e ai i AAK-së, Agim Çeku, të tre të shpallur fajtorë në rastin e veteranëve.
Për zgjedhjet e 28 dhjetorit janë në garë 1 mijë e 181 kandidatë për deputetë nga 24 subjekte politike.
Ndërkohë, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme përcakton se një kandidat nuk mund të certifikohet nëse në tri vjetet e fundit ka dënim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me së paku një vit burgim efektiv.
